Si pasojë e koronavirusit, turizmi, një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në gjithë botën, rrezikon të shkojë në kolaps. Për këtë fakt janë të vetëdijshëm edhe turistët.
Një çift bashkëshortësh gjerman, 72-vjeçarë, kontaktuan strukturën hoteliere ku kishin planifikuar të qëndronin gjatë pushimeve të tyre në jug të Sardenjës, Itali, për t’i komunikuar që duhet të anulojnë rezervimin e tyre për shkak të rrezikut të koronavirusit.
Por, çifti gjerman njoftoi hotelin se nuk e donin kaparin që kishin dhënë për prenotimin, një shumë prej 300 eurosh, në shenjë solidariteti me punëtorët e hotelit Sardus Pater. Ishte vetë drejtori i hotelit, z.Francesco Corrias, që publikoi në Facebook e-mail-in e të moshuarve drejtuar hotelit të tij.
“I dashur z.Corrias, të dashur italianë, ne kemi një prenotim në hotelin tuaj për datat 9-16 qershor. Kemi paguar një kapar prej 300 eurosh. Na duket e pamundur që të vijmë këtë vit, pa rrezikuar të prekemi nga koronavirusi, pasi ne jemi të moshuar (72 vjeç). Ne mendojmë që ju përballeni me pasoja financiare kur turistët nuk vijnë, ndaj nuk i duam mbrapsht paratë që kemi parapaguar. Mund t’i mbani 300 eurot (dhuratë). Ne jemi shumë të trishtuar që ju në Itali keni një numër të lartë vdekjesh. Mbi të gjitha na vjen shumë turp që Gjermania nuk do ta ndihmojë Italinë me eurobonde. Shpresojmë shumë që politikanët tanë të ndryshojnë sa më shpejt opinion mbi këtë çështje. Kemi shumë dëshirë që të vijmë në hotelin tuaj vitin tjetër, nëse do të jetë e mundur. Ju urojmë shëndet. Ju përshëndesim, Jochen dhe Christine Hopf”, lexohet në letrën e çiftit gjerman.