Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero, deklaroi të shtunën se “34 rastet e ditës së sotme në Shqipëri me COVID-19 janë kontakte të ngushta të atyre që janë infektuar më parë dhe janë raste asimptomatikë”.
Në një intervistë televizive Pipero tha se “shtimi i rasteve vjen prej shtimit të testimeve dhe gjurmimit agresiv të kontakteve të të infektuarve”.
Sipas tij, rëndësi ka që numri i pacientëve në spitalin COVID-1 tek Infektivi sot ishte vetëm 3.
”Janë raste të shtruara në spital dhe dua t’ju konfirmoj se në 24 orët e fundit janë vetëm 3 raste të shtruar në COVID-1. Pra për mua kanë rëndësi rastet në spital. Kujdesi për ta mbetet maksimal. Për rastet e konstatuara nuk e di janë nga rrethet vatra të vogla. Pra janë asimptomatikë, raste të vogla. Për shkak të shtimit të numrit të testimeve, pasi po kontrollohen agresivisht”, – nënvizoi Pipero.
Mjeku Pipero u shpreh se “do të rriten pozitivët asimptomatikë, por kjo nuk do të thotë se rrit gravitetin e virusit. Ky është një fakt i cili duhet t’u shërbejë epidemiologëve të shohin në mënyrë inteligjente. Por epidemia është menaxhuar mirë”.
“Janë qytetarë të riatdhesuar që u mundësohet kontrolli në pikat hoteliere të quajtura karantinim apo monitorim. Janë masa të rëndësishme edhe ata për t’u rikthyer por edhe institucionet shëndetësore për t’i mbajtur”, tha Pipero.