Durrësi u trondit pasditen e së hënës, pasi breshëri armësh u morën jetën dy vëllezërve në një atentat të organizuar.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:40, tek vendi i quajtur “tregu i makinave” në Shënvlash. Viktimat janë Viktor dhe Besmir Haxhia. Të dy vëllezërit kanë qenë duke udhëtuar me një makinë kur janë gjendur nën breshërinë e parëve. Janë ende të paqarta motivet e këtij krimi të rëndë.
Viktor Haxhia kishte një licencë si avokat ndërsa vëllai i tij Besmiri punonte në një kompani private. Të dy nuk kanë pasur rekorde të mëparshme kriminale. Burime nga policia e Durrësit thanë se po verifikohen disa pista për të përcaktuar arsyet e krimit.
Dy pistat
Për policinë rrethanat janë ende të paqarta, pasi dy vëllezërit nuk janë me precedent penal. Mister mbetet motivi nëse lidhet me ndonjë sherr të çastit apo hakmarrje. Sipas Report Tv, dyshohet se vrasja lidhet me një borxh, pasi dy vëllezërit kishin për të marrë para lidhur me aktivitetin e makinave që kishin. Konflikti mes tyre dhe palës tjetër ka agravuar duke sjellë ekzekutimin ditën e sotme.
Megjithatë kjo është një nga pistat që po hetohet deri tani nga grupi hetimor. Policia e Shtetit njoftoi se në ndihmë të policisë vendore të Durrësit përveç RENEA-s dhe FNSH-së, është ngritur menjëherë edhe një grup i posaçëm hetimor i përbërë me specialistët të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe nën drejtim e Prokurorisë vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale që do çonte në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.