Kryesore Koronavirusi në Itali: Më pak se 2 mijë të shtruar në terapitë...

Koronavirusi në Itali: Më pak se 2 mijë të shtruar në terapitë intensive, hera e parë pas 42 ditësh

Pas rënies së djeshme, viktimat nga koronavirusi në Itali rikthehen në rritje, edhe pse janë në nivelin e 15-16 marsit dhe shumë më pak në krahasim me shifrat e javëve të fundit.

Në 24 orët e fundit në Itali kanë vdekur 333 persona, ndërsa është ulur numri i personave aktualisht të sëmurë (-290), pak më i lartë numri i rasteve të reja në krahasim me tamponët e bërë.

Por për herë të parë nga 16 marsi, personat e shtruar në terapitë intensive bien në 2.000, dhe janë përgjysmuar në krahasim me 3 prillin, piku më i lartë i shtretërve të zënë (4.068).

Për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar me situatën e epidemisë, shkruan La Repubblica, është krahasimi i situatës të 16 marsit me 27 prillin e sotëm.

1.851 personat e shtruar në terapitë intensive më 16 mars, përfaqësonin 8% të të sëmurëve në atë moment: pothuajse 1 në 10 persona përfundonin në terapi intensive. Sot në terapitë intensive ndodhen 2% e të sëmurëve. Kjo tregon që situata në sistemin shëndetësorë është në kontroll dhe se terapitë janë më efikase kur sëmundja zbulohet dhe trajtohet më përpara duke evituar rëndimin e saj. Nëse sot Italia do kishte 8% e të sëmurëve në terapitë intensive, do të ishin më shumë se 8 mijë persona, një nivel i papërballueshëm për shëndetësinë italiane.

E njëjta situatë edhe me të shtruarit që nuk janë në terapitë intensive. Sot janë 20% (më shumë se 20 mijë) e totalit të pozitivëve, më 16 mars ishin 50%.