Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini mohoi në A2 lajmet e përhapura së fundmi në rrjetet sociale se në Shqipëri do të testohet vaksina e re e Covid-19 kur ajo të krijohet.
Doktoresha Tomini i konsideroi lajme të tilla si “fake news”, pasi vendi ynë nuk ka qenë kurrë pjesë e studimeve të tilla.
“Jo Shqipëria nuk është pjesë e një testimi të tillë apo e një studimi të tillë kundrejt vaksinimit. Nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në studime të tilla dhe nuk është pjesë e këtij studimi. Nëse në media keni evidentuar deklarata të tilla janë “fake news”, deklaroi Tomini.
Më tej, doktoresha e Shëndetit Publik deklaroi se deri në këto momente në Shqipëri nuk ka asnjë person të shëruar nga Covid-19 që është riinfektuar. Ajo tregoi se është ende herët për të folur për këtë çështjet pasi ajo duhet parë në vijimësi, pasi koronaviruset janë viruse që të lenë me imunitet të pjesshëm.
“Në Shqipëri ne nuk kemi riinfektime, asnjë rast të deklaruar deri në këto momente. Pavarësisht se e njohim virusin gjatë këtyre muajve, ai ka kapriçiot e veta. Megjithatë, studime të pjesshme në botë tregojnë se mund të kemi riinfektime apo mund të kemi dhe dyjëzim të kryerje së tamponit që ka dhënë falso-negativitet. Është ende herët për të thënë nëse kemi riinfektime apo jo. Por duhet thënë që koronaviruset janë ato viruse që lenë një imunitet të pjesshëm dhe për këtë duhet parë në vijim se si do të jetë ky imunitet në vijimin e muajve”, tha doktoresha Eugena Tomini në A2.