Këshilltari në Komunën e Breshias, Gianpaolo Natali, është politikani italian që ka ngritur zërin i pari për të sqaruar situatën e pazakontë me ekipin e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, të cilët u gjobitën ditën e fundit para kthimit në Shqipëri.
Ngjarja ka bërë zhurmë dhe është pasqyruar në të gjithë mediat italiane. Ekipi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë ishte mbledhur për të festuar në një nga dhomat e hotelit ku qëndronin prej një muaji në Breshia, kur është përballur me Policinë, pas denoncimit nga pronari i hotelit se kishin shkelur rregullat e vendosura kundër pandemisë dhe se po shqetësonin me zhurmën e tyre edhe klientët e tjerë.
Zoti Natali, President i Komisionit të Bilancit dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe Komisionit të Tregtisë për Partinë Fratelli d’Italia në Komunën e Breshias, tha në një prononcim për gazetën “Panorama”, se ngjarja duhet zbardhur, Parlamenti duhet të dëgjojë nga qeveria për këtë rast të pazakontë dhe nëse rezulton e nevojshme, qeveria italiane duhet të kërkojë falje.
Natali u kujdes të sqarojë se nuk po mban anën e askujt, as të mjekëve shqiptarë dhe as të Policisë italiane, pasi secila palë mund të ketë vepruar duke menduar se janë në të drejtën e tyre.
“Duam ta zbardhim këtë çështje, sepse është e pazakontë dhe e pakëndshme”, tha ai. “Kemi të bëjmë me disa mjekë dhe infermierë që erdhën dhe na ndihmuan në një kohë shumë të vështirë për vendin tonë, e për këtë i falënderojmë, dhe ne po i përcjellim me gjoba 500 euro”, tha ai duke e quajtur këtë fakt shqetësues.
Ai shtoi se Policia ka ndërhyrë në hotel në ditën e fundit të qëndrimit të tyre, pasi mjekët dhe infermierët “mbase nga euforia se të nesërmen do të ktheheshin në atdheun e tyre, janë mbledhur për të festuar, mbase kanë kënduar me zë më të lartë, mbase ka ndikuar ndonjë birrë më shumë, por kjo rezultoi me paraqitjen e Policisë në dhomën e hotelit, me sanksione nga 500 euro për 9 subjekte për shkeljen e rregullave të pandemisë me mbledhjen e shumë personave në një dhomë dhe me denoncim për kundërshtim të forcave të Policisë, për shkak të ndonjë shkëmbimi batutash më shumë”.
Natali tha se e falënderon Policinë për punën e tyre, sepse ata thjesht kanë zbatuar rregulloren për dekretet e vendosura gjatë pandemisë. Por ai ka kërkuar zbardhje të detajuar të situatës.
“Në këtë kohë pandemie, ne kemi nxjerrë shumë dekrete, të cilat kanë ndryshuar çdo dhjetë ditë apo çdo javë. Mjekët dhe infermierët shqiptarë kanë qëndruar çdo ditë, gjatë gjithë ditës në spital dhe ka mundësi që ata të mos kenë pasur njohuri për dekretet e ndalimit. Policia ka bërë detyrën, por duhet të kuptojmë nëse ka pasur ndonjë fjalë të thënë më shumë nga të dyja palët, nëse Policia mund të ketë vepruar në mënyrë më të tepruar nga sa ka qenë e nevojshme në atë rast, sepse po flasim për njerëz që kanë lënë atdheun e tyre për të na ndihmuar dhe kanë rrezikuar jetën e tyre, dhe ndoshta kjo sjellje e Policisë mund të ishte evituar”, theksoi ai.
I pyetur nëse kërkesat e tij që kjo çështje të diskutohet në Parlament po merren parasysh, Natali tha se “mendoj se do të ndodhë, sepse edhe zëvendësministri i Brendshëm italian po kërkon informacione mbi këtë dhe qeveria duhet ta informojë Parlamentin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Unë kërkova të qartësohet se kush mund të ketë gabuar që të mbajë përgjegjësitë. Është fakt i çuditshëm”, tha Natali për “Panorama”.