Greqia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje për punësimin sezonal të shtetasve shqiptarë në sektorin e bujqësisë në Greqi.
Sipas informacioneve nga Ministria greke e Bujqësisë, marrëveshja u arrit falë këmbënguljes së ministrit grek të Bujqësisë Makis Voridhis dhe deputetit të parlamentit shqiptar, Taulant Balla.
Vlen të përmendet se ndryshimi ligjor kaloi në parlament rreth orës 01.45 të natës, çka tregon edhe urgjencën e zgjidhjes së këtij problemi që shqetëson ndjeshëm sektorin e bujqësisë në vend.
Marrëveshja parashikon punësimin sezonal me procedura të përshpejtuara të 7-10.000 shtetasve shqiptarë, të cilët do të punësohen me të drejta të plota në Greqi.
Kështu, që prej të hënës, datë 4 maj dhe deri në 20 qershor ftohen të gjithë punëdhënësit grekë që janë të interesuar për të punësuarit sezonalë, të aplikojë pranë kooperativave bujqësore të rajoneve të tyre me dokumentat si me poshtë.
1-Kërkesa me shkrim pranë kooperativës.
2-Formulari i deklaratës së përgjegjësisë personale të punëdhënësit(teksti i gatshëm pranë protokollit)
3- Fotokopje të pasaportës së punonjësit të ftuar për punësim
4-Deklaratë financiare e fermerit për vitin 2019.
5-Faturë pagese 100 euro për çdo të ftuar(pagesë në bankë për llogari të shtetit grek)
6-Pagesë 80 euro për testin e Covidit, e cila do të bëhet në bankë për llogari të kompanisë së perzgjedhur për testin. Pagesat do të zbriten nga taksat gjatë muajve në vazhdim.
7-Udhëtimi i punonjësve do të bëhet me autobusë, ekskluzivisht me firmën e përzgjedhur prej kooperativës, e cila zbaton rreptësisht protokollet e sigurisë të caktuara prej qeverisë greke.
8- Kosto e udhëtimit paguhet nga punonjësi i ftuar.(vlerësohet se do të jetë 30-50 euro)
9-Testet do të bëhen brenda në autobusët në të cilët do të udhëtohet, në pikën kufitare të Kapshticës, dhe në vazhdim ato do të dërgohen në laboratorët e kontraktuar në Selanik.
10-Deri në përfundim të analizave, punonjësit do të karantinohen në njësitë e akomodimit të përzgjedhura prej kooperativës.
11-Nuk do të pranohen të kalojnë qytetarë në formë spontane, por vetëm në mjetet e kompanisë të autorizuar dhe certifikuar për procesin në fjalë.
12-Procedurat do të plotësohen brenda dy ditësh dhe në vazhdim kompania e udhëtimit rakordon lidhur me lëvizjen e punonjësve dhe dorëzon listën e udhëtimit pranë organeve policore kufitare shqiptare dhe greke, të cilat kryejnë edhe kontrollet e sigurisë.
Çdo punonjës i interesuar që të punësohet në këtë sektor do të duhet të aplikojë në platformën online www.punenegreqi.gr dhe brenda 3-4 ditëve do të kenë përfunduar kontratat e punës prej punëdhënësve.
Për herë të parë i gjithë procesi i pajisjes me dokumentat e nevojshme është falas dhe nuk do të jete e nevojsme pajisja me vizë pune, duke iu kursyer emigrantëve edhe pagesat e veprimeve konsullore dhe burokracitë e pa nevojshme.
Ministri grek i Bujqësisë falenderoi qeverinë shqiptare, por edhe kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi.
Sigurimi i krahut të punës në sektorin e bujqësisë i mundëson Greqisë të sigurojë prodhimin e fruta-perimeve si për tregun vendas ashtu edhe për eksportet në vendet e rajonit, të cilat vlerësohet se do të jenë 30% më shumë se një vit më parë.