Nga kjo e hënë përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë, Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë.
“Zonat e gjelbërta” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona. Do të lejohet shërbimi taksi, në të gjithë territorin, duke zbatuar protokollin e sigurisë me deri në dy pasagjerë, anëtarë të të njëjtës familje për udhëtimet ndërqytetëse.
Pensionistët në bashkitë e sipërcituara mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjerë mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30, jo më shumë se dy persona. Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim punë të cilët nuk kufizohen nga këto orare.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi para pak ditësh se “ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut”.
Po prej të hënës do të rihapet shërbimi taksi nga njëri qytet në tjetrin, por me kushtin e vetëm dy pasagjerëve, që duhet të jenë anëtarë të një familjeje. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor sqaroi se shoferë dhe pasagjerë duhet të respektojnë masat dhe protokollet e sigurisë të ndërmarra në situatën e emergjencës Covid-19. Referuar protokollit të sigurisë, DPSHTRR thekson se shoferi dhe pasagjeri duhet të jenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektant dhe se gjithashtu pasagjeri duhet të ulet mbrapa dhe diagonalisht me shoferin e mjetit.
“Lejohet vetëm 1 klient në automjet. Përjashtim bëjnë rastet nga e njëjta familje dhe të shoqërimit me të mitur apo persona me paaftësi! Kondicioneri duhet të jetë i fikur dhe ajrosja të jetë natyrale. Dritaret e mjetit të qëndrojnë pakëz hapur! Mbuloni gojën dhe hundën me një pecetë ose bërryl kur kolliteni apo kur teshtini. Shmangni prekjen e syve, hundës ose gojës me duar të palara. Pas pagesës me kartë/cash, shoferi dhe pasagjeri duhet të dezinfektojnë duart. Pas çdo pasagjeri, shoferi të dezinfektojë: timonin, dorezat e dyerve të mjetit, sediljet, rripat e sigurimit, kontrollet e dritareve, butonin e bagazhit etj”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.