Kryesore Nevila, mjekja e Tiranës, që nuk i ka parë që prej dy...

Nevila, mjekja e Tiranës, që nuk i ka parë që prej dy muajsh fëmijët e saj

Që kur koronavirusi u shfaq në Shqipëri, në fillim të marsit, specialistja e sëmundjeve infektive, Nevila Gjermeni ka qenë në vijën e parë, shkruan agjencia franceze e lajmeve, AFP.

Kjo do të thotë që ajo nuk i ka parë fëmijët e saj që prej dy muajsh, një ndarje e dhimbshme, që ajo shpreson se së shpejti do të marrë fund, ndërsa autoritetet përgatiten të lehtësojnë kufizimet.

“Secili prej nesh ka një familje”, thotë 38-vjeçarja duke u përpjekur të ndalë lotët, edhe për kolegët që po i kërkojnë publikut të qëndrojë vigjilent për masat paraprake shëndetësore.

Shqipëria u tregua shumë e shpejtë për t’u mbyllur dhe deri më tani ka shmangur një katastrofë si në Itali, që gjendet pikërisht përtej Adriatikut.

31 persona kanë vdekur dhe më pak se 1 000 të tjerë janë infektuar.

Por, ndërsa vendi po lehtëson ngadalë kufizimet gjithëpërfshirëse, mjekët e rraskapitur kanë frikë nga një valë e re infeksionesh në repartet e tyre spitalore.

“Ne e fituam betejën e parë, por jemi akoma në luftë”, thotë Loreta Bici, një kardiologe që punon në një spital të Tiranës dhe që trajton pacientët më seriozë.

Si kudo tjetër në botë, ngarkesa fizike dhe emocionale e ka stërmunduar stafin mjekësor që punon pa orar.

Në spitalet e Tiranës të shndërruara spitalet ”Covid 1” dhe ”Covid 2”, mjekët dhe infermierët, të pajisur me gjithçka, kanë kaluar orët e tyre të punës duke u kujdesur për pacientët që janë të vetmuar dhe të frikësuar.

“Ju jeni të mbuluar dhe pacienti nuk mund t’i shikojë sytë tuaj, ai përpiqet t’ju njohë zërin tuaj, kush jeni, kush po e ndihmon atë”, thotë Najada Çomo, një eksperte e sëmundjeve infektive, përgjegjëse për spitalin ”Covid 1”, ndërsa zëri i saj tronditet nga emocionet.

Fjalët e para, ditëlindjet

Që prej muajit mars, Gjermeni dhe bashkëshorti i saj, Arbri, një mjek reanimator në një departament tjetër, kanë arritur të shohin vajzën e tyre 15-muajshe, Hana, dhe djalin 10-vjeçar, Bjornin, vetëm në chat.

”Hana është në moshën ku ajo po eksploron fytyrat dhe është e pamundur t’i thuash asaj se nuk duhet të prekë”, thotë Gjermeni.

Mjekja gjithashtu ka frikë se mos prindërit e saj, të cilët kujdesen për fëmijët, mund të infektohen.

Momente të rëndësishme tashmë kanë munguar për Gjermenin, siç janë hapat e parë të Hanës dhe përpjekjet për të thënë fjalët e para.

”Prindërit gjithashtu nuk ishin në ditëlindjen e djalit të tyre’, thotë Gjermeni përmes lotëve.

Stafi tjetër mjekësor ka pasur frikë për jetën.

Adelina Dragoti, kryeinfermiere, 48 vjeçe në spitalin ”Covid 2”, u infektua vetë nga virusi.

Por, ajo është rikthyer në punë pas katër javësh.

“Është një gëzim i vërtetë kur arrijmë të shpëtojmë një jetë, kur pacienti zgjohet, ju shikon dhe thotë se ‘unë ju kam borxh jetën time”, i tha ajo AFP-së.

“Unë nuk mund t’i harroj këto fjalë”, thekson ajo.