Kufizimi i qarkullimit të lëvizjes së makinave si pasojë e masave shtrënguese të distancimit social ka sjellë një shtim të përdorimit të biçikletave në Tiranë, por pyetja mbetet nëse do bëhemi një ditë si holandezët.
Nga Nensi Bogdani / BIRN
Negociatat delikate për uljen e çmimit të një biçiklete në një dyqan në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë u ndërprenë të premten në mëngjes nga të rrahurat ritmike të çekiçit, në duart e një ustai që po riparonte rrotën e një biçiklete të vjetër në dyqanin ngjitur.
Trotuaret që lidhin rrugën e Barrikadave me rrugën Bardhyl pranë Pazarit të Ri në Tiranë njihen gjithashtu si Tregu i Biçikletave dhe javët e fundit kanë njohur një gjallëri, që bie në kontrast me rrugët e zbrazura si rrjedhojë e masave të distancimit social.
“Kemi aq shumë punë sa nuk po e përballojmë dot…tani që janë mbaruar dhe biçikletat nëpër dyqane, po detyrohen njerëzit të riparojnë të vjetrat….me kaq servise sa ka Tirana, është e pamundur të përballohet ky fluks,” thotë pronari i një servisi biçikletash, z. Garunja.
Ai e ushtron profesionin prej 25 vitesh së bashku me të birin, por dy muajt e fundit, fluksi i klientelës është rritur si asnjëherë më parë, ndërkohë që mungesa e stokut të biçikletave të reja i ka shtyrë shumë klientë të sjellin biçikletat e tyre të vjetra për t’i riparuar.
Problemet me zinxhirin furnizues për shkak të mbylljes së kufijve nga epidemia e COVID-19 pranohen dhe nga tregtarët të tjerë, të cilët thonë se si pasojë e ndalimit të qarkullimit të mjeteve, kërkesa për biçikleta të reja është trefishuar.
Trendit në rritje të përdorimit të biçikletave në kryeqytet i është përgjigjur dhe bashkia, e cila po shton korsitë e biçikletave në disa zona të Tiranës – përfshi rrugën popullore tregtare ‘Myslym Shyri.” Në një postim në rrjetin social Facebook me 2 maj, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nënvizoi se rritja e përdorimit të biçikletës në 2 muajt e fundit ishte në nivele historike.
“Gjatë natës vijëzuam korsitë e reja për çiklistët dhe këmbësorët, të cilat na ndihmojnë në lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, që janë shtuar si asnjëherë tjetër në 30 vitet e fundit në rrugët e Tiranës që nga rënia e komunizmit,” deklaroi Veliaj.
Kufizimi i qarkullimi të mjeteve të transportit në muajin mars ka shtuar përdorimin e biçikletave si asnjëherë më parë dhe shumë banorë të kryeqytetit shprehen se dyrrotakët janë mjetet më praktike dhe të shëndetshme të transportit.
“Më pëlqen dhe më bën mirë dhe për shëndetin…gjithë jetën kam pasur probleme të shtyllës kurrizore, por biçikletën nuk e kam ndarë kurrë,” thotë Shpresa Buzi, e cila shton se e përdor biçikletën që në moshën 15-vjeç.
“Përpara, kur dilja rrugëve kryesore, dridhesha nga stresi se mund të vinte ndonjë makinë, ndërsa tani me korsitë e reja dhe me sheshin e hapur, ndihem shumë më e sigurtë dhe dal për qejf,” shtoi Buzi, ndërsa zbriti për t’u çlodhur në sheshin “Skënderbej”.
Në trotuarin e mbushur plot me njerëz të rrugës “Qemal Stafa”, kryesisht burra e fëmijë që mbajnë në duar biçikletat e tyre, tregtarët thonë se po hasin vështirësi për të plotësuar kërkesat për biçikletat e reja.
“Nuk ka më stok, pasi u mbyllën kufijtë, u shitën të gjitha biçikletat dhe nuk na kanë ardhur më,” thotë pronari i një dyqani të hapur prej 20 vitesh. “Vetëm sot kisha 10 kërkesa, po nuk kam ku t’ia gjej”, shtoi ai, duke nënvizuar se “as ortakët e mi në Turqi dhe në Greqi nuk kanë pasur stok për të më dërguar.”
Tregtarët thotë se biçikletat elektrike janë më të kërkuarat, por këto nuk janë të përballueshme ekonomikisht nga të gjithë individët, pasi kushtojnë rreth 60.000 lekë. Ndërsa çmimet e biçikletave të thjeshta variojnë mesatarisht nga 10.000 -20.000 lekë.
Një pjesëtar i stafit të dyqanit të biçikletave “Pilot.al” i tha BIRN se shitjet janë 3-fishuar në krahasim me periudhën normale para ndalim-qarkullimit të mjeteve të transportit për shkak të pandemisë.
“Tani që kanë dhe korsitë e reja dhe ndjehen më të sigurtë, qytetarët janë duke i përdorur shumë më tepër biçikletat,” shpjegoi ai, duke shtuar se biçikletat janë duke u masivizuar edhe si rrjedhojë e kufizimit të qarkullimit të makinave.
“Tani sapo na erdhi furnizimi me biçikleta të tjera, pasi na kishte mbaruar dhe stoku,” tha shitësi, duke treguar kutitë ende të pahapura të biçikletave jashtë dyqanit të tij.
“Njerëzit nuk kanë më qejf të hipin nëpër autobuse, sidomos pas përhapjes së COVID-19, kështu që shumë prej tyre po i rikthehen biçikletave,” shtoi ai.
Rudi, pronar i një dyqani biçikletash me të njëjtin emër konfirmon bumin e kërkesave dhe shitjeve për biçikleta.
“Më kanë mbetur vetëm biçikleta fëmijësh, pasi ato për të rritur janë shitur të gjitha dhe nuk kemi më as në stok,” shprehet ai.
Megjithë bumin e papritur që ndalimi i qarkullimit ka sjellë, jo të gjithë janë të bindur se kultura e transportit në kryeqytet ka ndryshuar në favor të biçikletave.
“Pyetja është a do të bëhemi ne ndonjëherë si holandezët?” ironizoi njëri prej pronarëve të dyqaneve në rrugën “Qemal Stafa”, duke vënë në pikëpyetje nëse përdorimi i biçikletave do të vazhdojë të jetë kaq i madh edhe pas heqjes së të gjitha kufizimeve.
“Tani janë sikur kanë dalë të gjithë prej ngujimit, por mbetet për t’u parë a do të vazhdojnë t’i përdorin kaq shumë biçikletat dhe në muajt në vazhdim,” përfundoi ai.