Kryesore Meta reagon për Teatrin: Mos e prekni, çështja është në Kushtetuese

Meta reagon për Teatrin: Mos e prekni, çështja është në Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të kaluar në pronësi të bashkisë teatrin kombëtar veprim që i hap rrugën shembjes së tij. Përmes një njoftimi zyrtar, Presidenca bën me dije se Presidenti i Republikës ka ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim veprimtarinë më të fundit të organeve shtetërore në lidhje me vullnetin për prishjen e objekteve të “Teatrit Kombëtar”.

Sipas presidentit, procedura e ndjekur dje nga Këshilli i Ministrave, “që këtë pasuri kombëtare t’ia kalojë në pronësi Bashkisë Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godinë të re të Teatrit Kombëtar është “ekstra ligjore”, duke e lënë tashmë në përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.

“Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë, nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Evropian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij.

Ky vendim i djeshëm i qeverisë me të drejtë ka krijuar një reagim të fortë qytetar, pasi veç të tjerash merret në një kohë kur vendi po i nënshtrohet gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe masave kufizuese të lirisë së qarkullimit, si dhe në një moment kur pikërisht kjo çështje ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që prej 3 vitesh nuk është funksionale”, shprehet presidenti.

Presidenti Meta, thekson se në muajin korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje.

“Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj., ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare”.

Presidenti Meta, i kujton “të gjithë organeve shtetërore përfshi këtu dhe Këshillin e Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, se një prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk kanë të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cenon drejtpërdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, parime këto të parashikuara nga nenet neni 3, të Kushtetutës.

Gjithashtu një tjetër çështje që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me edhe faktin se veprimtaria administrative shtetërore e pushtetit qendror apo lokal që synon apo ndërmerr veprime për prishjen e Teatrit Kombëtar, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim, të mishëruara edhe në Konventën Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, shprehet presidenti.

Kreu i shtetit kërkon nga Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.

“Këto institucione duhet të tregojnë vullnet dhe përkushtim për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa prekur dhe cenuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen”, përfundon presidenti Meta.