Kryesore Sinjale pozitive në Shqipëri, gati ri-hapja graduale e sistemit shëndetësor

Sinjale pozitive në Shqipëri, gati ri-hapja graduale e sistemit shëndetësor

Ulja e numrit të rasteve me COVID-19 ka krijuar hapësira të favorshme, të cilat pritet t’i japin frymëmarrje të re shërbimit shëndetësor në Shqipëri. Teksa inspektoi spitalin e ri të Kirurgjisë në QSUT, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu  tha se pas vlerësimit të situatës nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është vendosur që të rihapet sistemi shendetësor.

“Koeficienti i riprodhimit paraqitet nën 1, çka ka bërë që sot Komiteti Teknik i Eksperteve të vlerësojë edhe rihapjen graduale te sistemit shëndetësor në spitalet rajonale dhe universitare nga data 18 Maj. Gjatë kësaj jave duhet që të gjithë strukturat të angazhohen maksimalisht për t’u bërë gati për rihapjen graduale të shërbimeve të kirurgjisë së planifikuar”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se gjatë të gjithë kohës së epidemisë, janë garantuar të gjithë shërbimet së i përket urgjencave kirurgjikale dhe patologjive malinje, Manastirliu u shpreh se ndërhyrjet e planifikuara do të nisin në mënyrë graduale në të gjithë vendin.

Ministrja Manastirliu shtoi faktin se po vlerësohet rikthimi në normalitet edhe tek spitali “Shefqet Ndroqi”, i cili u kthye në spitalin COVID2 për shkak të pandemisë së coronavirusit.

“Jemi duke vlerësuar me komitetin Teknik të Ekspertëve edhe rikthimin në normalitet të spitalit universitar ‘Shefqet Ndroqi’, i cili i është dedikuar COVID2 dhe brenda kësaj jave do të kemi një vendim për të vlerësuar rikthimin në normalitet të këtij spitalit për të ofruar shërbimet e tij”, tha Manastirliu.

Në takimin me ministren e Shëndetësisë, kirurgët theksuan se janë gati që shërbimi t’i rikthehet normalitetit.

“Do të doja që qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm për distancim social dhe higjienën personale, ndërsa shërbimi i kirurgjisë është gati, si fillim do të fillojmë me kapacitet më të ulët, me ndërhyrje më urgjente, për ta shtrirë hap pas hapi”, tha prof Arben Gjata.