Bota Në Europë, nxënësit rifillojnë gradualisht shkollën

Në Europë, nxënësit rifillojnë gradualisht shkollën

Në disa vende europiane, nxënësit dhe mësuesit rifilluan sot gradualisht rrugën e shkollës, pas disa javëve të kufizimit për shkak të krizës shëndetësore planetare, me përjashtim të italianëve, rikthimi në shkollë i të cilëve nuk do të bëhet para muajit shtator.

Nëse një numër i vogël europianësh kanë rifilluar tashmë shkollën, ashtu si në Danimarkë apo në Norvegji, fëmijët holandezë, grekë, zviceranë, kroate dhe serbe kanë bërë rikthim të alternuar dhe sipas grupmoshave.

“Në Francë, në ditën e parë të lehtësimit të kufizimit, rreth 86% e 50 500 shkollave në Francë do të rihapen sot për parashkollorët dhe të martën për më shumë se 1,5 milionë fëmijë të klasave fillore”, theksoi ministri i arsimit Jean-Michel Blanquer, për “Journal du Dimanche”.

Por, përballja me rregullat shëndetësore, shumë kryetarë bashkish kanë nguruar të rihapin shkollat, e njëjta gjë edhe për mësuesit që kanë të drejtën për t’u tërhequr, si dhe shumë prindër që i tremben rikthimit të fëmijëve të tyre në kontakt potencial me virusin

Në Holandë fëmijët e kopshteve dhe çerdheve janë rikthyer.

“Për fat të mirë, fëmijëve u lejohet të afrohen me njëri-tjetrin, pa qenë e nevojshme të respektojnë këtë rregull prej 1,5 metra të distancimit shoqëror. Ata vërtet e vlerësojnë atë. Ata mund të prekin dhe të luajnë lojëra pa menduar”, thekson një profesionist i shëndetit.

Në një shkollë të mesme në Athinë në rrethin Petralona, grupe të vogla adoleshentësh, me sa duket të lumtur për t’u takuar pas një muaji në izolim, u drejtuan në klasat e tyre, duke thënë se mësimet do t’i ndihmonin për provimet në fund të shkollës, të planifikuara  në mes të qershorit.

Në Serbi, çerdhet dhe kopshtet gjithashtu u hapen sot, por vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve duhet të shkojnë në punë.

“Rreth 30% e fëmijëve parashkollorë duhej të ktheheshin sot, me kushtin e paraqitjes së një certifikate mjekësore që vërteton se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe një dokument mbështetës nga punëdhënësi që vërteton se prindërit nuk mund të punojnë nga shtëpia”, sipas Olivera Zubic, drejtore e një institucioni privat në Beograd.

“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet, prindërit do të vijnë në kohë të caktuar paraprakisht. Një çift pas tjetrit. Ata do të përshëndeten nga një infermiere që do të matë temperaturën e tyre dhe atë të fëmijës”, theksoi Olivera Zubic.

Edhe në Kroaci, rikthimi në shkollat fillore është opsional dhe i rezervuar për prindërit që duhet të shkojnë në punë.

“Sondazhi i parë tregon se nga 301 nxënës të regjistruar vetëm 93 do të kthehen dhe ne mendojmë se ky numër do të ulet më tej,” theksoi Josip Petrovic, drejtori i shkollës fillore Trnsko në Zagreb.

Në kryeqytetin kroat, ku rreth 20 shkolla nuk janë rihapur që nga tërmeti i Marsit, fëmijët me sëmundje kronike nuk mund të kthehen në bankat e shkollës.

Shkollat ​​janë dezinfektuar dhe klasat janë të kufizuara në maksimum dhjetë deri në pesëmbëdhjetë nxënës, për të respektuar rregullat e distancimit shoqëror.