Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e sotme në Poliçan ku një 77-vjeçar raportohet se është vrarë me thikë.
Viktima është identifikuar si Ramadan Çela, ndërsa autor i dyshuar i vrasjes është komshiu i tij H.Ç, 37 vjeç.
Policia ka vënë në pranga autorin.
“Rreth orës 17:30, në fshatin Jaupas, Skrapar, shtetasi H. Ç., 37 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me mjet prerës (thikë) komshiun e tij që ndodhej vetëm në banesë, shtetasin R. Ç., 77 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar kanë rrethuar zonën dhe falë reagimit të menjëhershëm dhe informacioneve të marra në rrugë operative kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit”, njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale grupi hetimor ka sekuestruar armën e krimit, një mjet prerës (thikë).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.