Sport Igli Tare në sulm: Qeveria po tallet, jemi për titull kampion

Igli Tare në sulm: Qeveria po tallet, jemi për titull kampion

Kanë kaluar 20 vjet nga titulli i fundit kampion i Lacios dhe sot, nëse Serie A do të rinisë, bardhekaltrit do të tentojnë trofeun e munguar. E pohon Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios që në 2000-shin ishte një futbollist i ri. “Titulli? Jemi në garë dhe do të provojmë ta fitojmë tani, nëse kampionati rifillon, ose ndoshta sezonin tjetër. Lacio është një ekip që vjen nga larg dhe nuk ndalet këtu”, – është shprehur Tare për “Repubblica”.

“Titulli i fundit? Po e shikoja ndeshjen në shtëpinë time në Kaizerslautern, isha me disa miq. Ndeshja e Lacios përfundoi, kurse në Peruxhia dukej sikur nuk përfundonte kurrë”, – kujton Tare para se të përqendrohet tek e sotmja, te një kampionat që sipas tij duhet çuar deri në fund patjetër: “Kush thotë se duam ta vazhdojmë kampionatin vetëm për interes personal, nuk ka kuptuar asgjë. Futbolli mban gjallë 370 mijë njerëz dhe nëse ndalet, do të jetë një falimentim për të gjithë dhe Italia do të humbë pjesë të historisë jo vetëm sportive. Do të jetë një shkatërrim social”.

Më tej Tare thekson: “Të ndalemi tani do të thotë me siguri që as në shtator nuk mund të rinisim. Shumë muaj pa aktivitet janë shumë të dëmshëm. Njerëzit mendojnë se futbolli është vetëm Serie A, por janë mijëra persona dhe familje që punojnë. Duhet ta mbrojmë futbollin. Qeveria po tallet me ne, janë qesharake këto komplikacione të vazhdueshme. Nuk mund ta besoj që ministri Spadafora të jetë kaq i papërgjegjshëm për të vepruar kështu me qëllim. Ka qeveri në Europë që duan ta ndihmojnë futbollin, siç janë Gjermania, Spanja, Anglia. Në Itali nuk është kështu dhe le ta evitojmë një verë në gjykatë.

Duhet të jenë më të qartë, sepse pasojat do të jenë të pallogaritshme: ekonomike, sociale, sportive dhe psikike. Njerëzit po vuajnë mendërisht dhe kanë nevojë për futbollin si terapi. Topi mund të jetë shenja e jetës që po rifillon vërtet. Protokolli shëndetësor gjerman është më i miri: kontrolle në fushë dhe nëse ka një pozitiv, izolohet vetëm ai, jo gjithë grupi. Të nisin ndeshjet dhe pastaj, nëse dikush do të kthehet në shtëpi, mund ta bëjë, duke i paguar vetë testet për veten dhe familjen. Te Lacio kemi rezultuar të gjithë negativë dhe asnjë lojtar nuk është larguar kurrë nga Roma”, tha Tare.