Plani i ri i zhvillimit urban të Athinës është një përvojë e re që u ofron qytetarëve dhe turistëve mënyra alternative të transportit në kryeqytet, deklaroi kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakojanis, në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve, ANA.
”Plani i ri urbanistik shënon zbatimin e ndryshimeve që qyteti dhe njerëzit e tij kanë nevojë për një cilësi më të mirë të jetës”, nënvizoi Bakoyannis.
“Qendra e Athinës nuk është më një pikë tranziti, por do të shndërrohet në një destinacion. Ai zgjeron dhe bashkon vendet, rrugët dhe të gjithë ne që, për shkak të pandemisë, kuptuam vlerën e hapësirës publike dhe kuptimin e lëvizjes së papenguar”, shtoi ai.
”Problemi për të cilin u thirrën ekspertët ishte zgjidhja sasiore dhe cilësore e hapësirave publike, që tashmë do të jenë për këmbësorët, çiklistët dhe transportin publik dhe jo makinat”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, George Yannis, profesor për Sigurinë dhe Menaxhimin e Trafikut në Departamentin e Planifikimit të Transportit dhe Inxhinierisë së Shkollës së Inxhinierisë Civile në Universitetin Kombëtar Teknik të Athinës (NTUA) dhe drejtues i ekipit që kreu studimin, tha se qendra e Athinës duhej të ishte pa makina që shumë vite më parë.
Ai nënvizoi se qëllimi i planit ishte azhornimi urban i qendrës së qytetit duke marrë parasysh faktorin e transportit.
Plani parashikon një pedonale për këmbësorët me gjatësi 6,8 kilometra, që përfshin gjithashtu qendrën historike të Athinës, ndërsa 50 000 metra katrore hapësira publike do të vihen në shërbim të qytetarëve.
Një korsi gjigante biçikletash do të ndërtohet në rrugën e njohur ”Panepistimiou”.