Testet mbi minjtë kanë treguar se përdorimi masiv i maskave të fytyrës zvogëlon transmetimin e koronavirusit.
Hulumtimi nga Universiteti i Hong Kongut është nga të parët që përqendrohen në përdorimin e maskës dhe mundësinë që ka ajo për të parandaluar që bartësit simptomatikë apo asimptomatikë të sëmundjes të infektojnë të tjerë.
Studimi u udhëhoq nga profesori Yuen Kwok-yung, një nga ekspertët kryesorë në botë për koronavirusin. Ekipi i vendosi minjtë që ishin infektuar artificialisht me Covid-19 pranë kafshëve të shëndetshme.
Maska kirurgjikale u vendosën midis dy kafazeve në ajrin që lëvizte nga kafshët e infektuara drejt atyre të shëndetshme.
Studiuesit zbuluan se transmetimi pa kontakt i virusit mund të zvogëlohet për më shumë se 60 për qind kur përdoren maskat.
Dy të tretat e minjve të shëndetshëm u infektuan brenda një jave nëse nuk vendosej maska.
Ata që u infektuan u zbuluan gjithashtu se kishin më pak virus në trupin e tyre sesa ata të infektuar pa maskë.
“Është shumë e qartë se efekti i mbajtjes së maskës nga të infektuarit, veçanërisht kur ata janë asimptomatikë ose simptomatikë – është shumë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, u tha Yuen gazetarëve.
Ai gjithashtu shpjegoi pse mbajtja e maskës është e rëndësishme sepse ne tani dimë që një numër i madh i të infektuarve nuk kanë asnjë simptomë.
Yuen është njëri prej mikrobiologëve që zbuluan virusin SARS – një paraardhës i koronavirusit aktual – kur u shfaq në 2003 dhe u mori jetën rreth 300 njerëzve në Hong-Kong.
Katër muaj pasi u zbulua rasti i parë i COVID-19, Hong-Kongu ka arritur ta kufizojë sëmundjen me pak më shumë se 1 000 infeksione dhe katër vdekje.
Ekspertët ia japin meritën për këtë përdorimit të gjerë të maskave, si dhe testimit efikas, gjurmimit dhe trajtimit në qytetin me 7.5 milionë banorë.