Nëse udhëton në një rrugë nacionale në Shqipëri, shikon mbetje inerte gjithandej. Pirgje të tëra me beton të shfaqen përball si “kodra” krah tokave te gjelbëruara.
Teksa jemi në fillim të zezonit turistike, këto pamje veçse e shëmtojnë panoramën dhe na vendosin shpesh përball pyetjeve të sikletshme që na bëjnë të huajt: pse këto mbetje qëndrojnë buzë rrugë?!
Këto mbetje i hasim kudo, madje edhe anës bregut të detit në zonat e plazheve, ku shpesh prishjet e objekteve pa leje lënë gjurmët e tyre për shumë kohë.
Mbetjet inerte, përveç anës estetike shkatërrojnë në mënyrë serioze dhe të pakthyeshme mjedisin.
Çfarë la pas tërmeti
Tërmeti i 26 nëntorit, përveç se mori jetë njerëzish dhe la pa strehë me qindra familje, solli me vete dhe male të tëra me inerte që sot e kësaj dite, kanë mbetur si kujtim i asaj dite të trisht për shumë banor.
Largimi i tyre nuk është bërë ende dhe nuk kuptohet qartë se çfarë pritet akoma.
Ajo që vihet re masivisht është se fadromat kanë shkatërruar pallatet dhe shtëpitë e banimit që ishin futur në listën e ndërtimeve që duheshin shembur, për shkak se ishin shpallur të pabanueshme, dhe nuk kanë larguar inertet për t’i dërguar ato në vendet e caktuara sipas legjislacionit në fuqi “Për Menaxhimin e Mbetjeve Inerte”, i miratuar që në vitin 2015.
Në bazë të këtij legjislacioni, ai që shkakton mbetjet inerte është i detyruar t’i ruajë, t’i transportojë dhe t’i dorëzojë ato në landfill apo në venddepozitimin e përkohshëm në mënyrë të diferencuar. Por kjo gjë në shumicën e rasteve nuk ka ndodhur dhe sot kemi këtë dëm të pariparueshëm në mjedis.
Dhe një nga problemet më kryesore mbetet çështja e trajtimit të mbetjeve inerte të shkaktuara nga prishja e godinave si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit.
Veçanërisht në rastet e prishjes së godinave, mbetjet inerte nuk janë thjesht beton, gurë, apo dhera, por ato përmbajnë edhe substanca të tjera si qelq, dru, porcelan, tekstile, profile hekuri e çeliku, apo profile alumini, gjë që e rëndon më shumë situatën dhe rreziku i ndotjes është edhe më i madh.
Rrugët si “kosha” për inertet
Nga një vëzhgim në zonat kryesisht pranë Tiranës, vihet re se mbetjet inerte janë hedhur përgjatë rrugëve, siç është zona pranë Mulletit.
Qindra ton inerte janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme në rrugën nacionale Tiranë-Shkodër.
Ndërkohë që kryesisht në zonat periferike vendet e ndotura në kryeqytet janë të panumërta. Fshati Tapizë, është e mbushur me kodra inertesh të cilat janë hedhur vetëm ditët e fundit.
Në malin e Dajtit, përgjatë hapësirës turistike, janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme inerte, duke rrezikuar gjelbërimin dhe duke dëmtuar turizmin në këtë zonë. Edhe lumi Erzen është mbushur plot me inerte, të cilat zënë shtratin e tij dhe për pasojë ndikojnë negativisht në ekosistemin natyror të burimeve ujore. Por edhe inertet që hidhen në periferi të tjera kanë një ndikim të konsiderueshëm në përmbytjen e zonave për rreth, pasi nëpërmjet reshjeve inertet transportohen në burimet ujore, si dhe në kanalet kulluese dhe ujitëse, duke ndikuar kështu edhe në bujqësi. Për këtë emergjencë mjedisore dhe shkatërrim të mjedisit vë alarmin dhe vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit nëpërmjet raportit të saj, i cili publikohet çdo vit.
Raporti i fundit i “Gjendjes së Mjedisit” pranon se në Shqipëri, “Mbetjet inerte, mbetjet e rrezikshme, mbetjet spitalore dhe mbetjet e kafshëve nuk trajtohen sipas kërkesave ligjore, pasi mungojnë landfillet e veçanta për depozitimin këtyre mbetjeve siç janë mungesa e landfilleve për mbetjet e rrezikshme qe mbeten emergjenca me e madhe ne vend”.