Kryesore Interpelanca për Teatrin, Rama flet me fjalët e artistëve: Mos në kryqëzoni…

Interpelanca për Teatrin, Rama flet me fjalët e artistëve: Mos në kryqëzoni…

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me fjalët e artistëve interpelancës së deputetes Rudina Hajdari për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Rama tha se protestat e vërteta për teatrin janë bërë dy vite më parë nën drejtimin e aktorëve Robert Ndrenika dhe Arben Derhemi, duke ironizuar revoltën e opozitës për shembjen e godinës së TK.

“Kur e nisën protestën për teatrin, as ju dhe as ata të tjerët që tani janë kthyer në bij të lënduar të Shekspirit, jo vetëm nuk ishit aty por dhe ju ishte thënë që të mos guxonit të dukeshit aty.

Robert Ndrenika ka këtë përgjigje për ju: Ju lutem mos më kryqëzoni, kam qenë prej vitesh dhe jam për një teatër të ri dhe bashkëkohor të cilën ka për detyrë ta bëjë shteti shqiptar.

Më pas Arben Derhemi: Grupi i artistëve vendosën se duhet të ishin pjesë e negociatave me kryetarin e Bashkisë. Ne shtruam dy probleme shumë të rëndësishme, të mos preket trualli i Teatrit Kombëtar dhe të shpallet një konkurs.

Bujar Asqeriu: Unë jam për paqen sociale, nuk e mbështes më protestën tani, s’ka më sens. Jam për paqe sociale dhe s’më përdor dot as PD, as PS. Dua një teatër të ri.

Reshat Arbana: Nëse një pjesë e mirë e territorit qenka e Bashkisë, le t’ja lërë teatrit.

Luftara Paja: Që të kemi këtë teatër ne si artistë harrojmë gjërat kryesore, merremi me llaç e tulla.

Altin Basha: Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cënohej trualli. Unë mendoj se duhet një godinë e re.

Enver Petrovci: Për mua është një budallallëk mos të ndërtohet një teatër i ri. Jam kundër që toka t’i falet dikujt. Ai teatër që ekziston nuk ka kurrfarë vlere”, mbylli replikën e tij Rama.