Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se Partia Demokratike do të futet në zgjedhje dhe do të dalë fitimtare në to. Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, Basha tha se në tryezën zgjedhore opozita do të kërkojë qeveri tranzitore. Sipas tij, një qeveri pa Edi Ramën është pika kryesore, megjithatë Basha tha se është nëse kjo nuk arrihet “ne jemi aty për të bërë detyrën tonë, që të paktën kuadri ligjor nesër, me qeverisjen tonë, nën drejtimin tim mos kenë gojë dhe të thonë, shikoni rregullat nuk bëjnë. Rregullat do të jenë aty”.
Mesa kuptova unë, në tryezën zgjedhore deri të dielën do të kërkoni qeveri tranzitore, por më thatë që edhe nëse nuk realizohet qeveria tranzitore ju prapë do të jeni të gatshëm për zgjedhje.
Ne nuk kemi në dorë asgjë më shumë sesa të shfaqim vullnetin tonë politik për t’i dhënë shqiptarëve dhe Shqipërisë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përballë kemi një njeri dhe një grup njerëzish të cilët e kanë jetike të mbrojnë krimet, korrupsionin, dështimet e tyre gjatë këtyre viteve. Dhe pjesë e kësaj është sabotimi i reformës zgjedhore, të cilën u përpoqën ta sabotojnë me akte të ndryshme, i fundit ishte ai tek teatri. Është sabotimi dhe kapja e reformës në drejtësi, këto janë akte të përkohshme, sepse shumë shpejt dita do të vijë, kur kjo qeveri, e cila i ka tashmë ditët e numëruara do të përballet me vullnetin popullor dhe nuk do të ketë asnjë forcë, asnjë kriminel, asnjë grup kriminal të përsërisë atë që ndodhi në 2017-n
Keni 48 orë deri në mbylljen e Reformës Zgjedhore, çfarë janë të panegociueshme për ju? Cilat janë pikat që nuk tolerohen?
Asnjë pikë nuk ka kuptim nëse nuk ka vullnet për ta zbatuar atë. Fillim e mbarim pika më e rëndësishme është do të ketë apo nuk do të ketë një qeveri pa Edi Ramën Kryeministër. Nëse nuk ka qeveri pa Edi Ramën Kryeministër, tjerat janë 5 me hiç, por ne jemi aty për të bërë detyrën tonë, që të paktën kuadri ligjor nesër, me qeverisjen tonë, nën drejtimin tim mos kenë gojë dhe të thonë, shikoni rregullat nuk bëjnë. Rregullat do të jenë aty.
Pra ju po shprehni vullnetin tuaj për të zgjidhur diçka, por edhe po nuk u zgjidh ju jeni gati për betejë dhe nuk tërhiqeni nga asgjë.
Padiskutim, nuk ka grup kriminal, nuk ka alibi, nuk ka shkatërrim të procesit të reformës zgjedhore që shpëton Edi Ramën dhe bandën e tij nga largimi.
Ka pasur mjaft komente sipas të cilave opozita nuk duhet të hyjë në zgjedhje sepse vetëm legjitimon një sistem që drejtohet nga Edi Rama. A ka diskutim që opozita të mos hyjë në zgjedhje ose të tërhiqet nga zgjedhjet siç veproi me daljen nga parlamenti dhe mos paraqitjen në zgjedhjet lokale?
Opozita po ndërton bashkë me qytetarët, grupet e interesit, që nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, tek fermerët, biznesi, tek të papunët, tek rinia, tek studentët, tek profesorët e universiteteve, aleancën më të madhe që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite për t’u përballur dhe për të fituar mbi këtë minorancë.
Aleancë për zgjedhje apo aleancë për muhabet?
Aleancë për interesin publik që padiskutim do të marrë formë përmes shprehjes së vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme.
Që do të thotë që opozita do të dalë në zgjedhje në të gjitha rrethanat?
Do të thotë që çdokush do të gjejë veten tek programi ynë, tek alternativa jonë, tek vendosmëria jonë për ta shpëtuar vendin nga kjo e keqe. Çdo ditë më shumë me Edi Ramën, është një ditë më e keqe, një familje më shumë zhytet në varfëri, një biznes mbyllet, një student largohet në emigracion, kësaj duhet t’i japim fund një orë e më parë. Unë kam planin, vizionin, vendosmërinë, ambicien, përvojën për ta drejtuar këtë betejë, dhe ajo që shoh në këto takime është që të gjithë po thonë Rama duhet të largohet një orë e më parë, ti je shpresa jonë, na mblidh, na bashko, të shkojmë drejt ndryshimit që mezi po pret çdo shqiptar.