Kryesore Referendumi/ Basha: Shqipëria kurrë më një kryeministër për më shumë se dy...

Referendumi/ Basha: Shqipëria kurrë më një kryeministër për më shumë se dy mandate

Kryetari i Partisë Demokratike tha se është i vendosur që me ardhjen në pushtet të vendosë rregullin që kurrë më Shqipëria të mos ketë një kryeministër për më shumë se 2 mandate, apo 8 vite.

Nëse këtë nuk do të mund ta arrijë në Kuvend, ai tha se do t’i drejtohet popullit me referendum.

Lulzim Basha: Do të kemi një reformë, pse jo edhe kushtetuese, që të garantojë që institucionet të jenë në dorë të qytetarëve. P.sh. kufizim i pushtetit të qeverisë, që të mos kemi prapë një Rama bis, larg qoftë, është propozimi im që të forcojmë kontrollin dhe balancën, ka shumë mënyra për ta bërë këtë, që tek procedurat e dyfishta të parlamentit me një dhomë, parlamenti me dy dhoma, që është preferenca ime, me të njëjtin numër, pa shtuar barrën fiskale. Po që qeveria të këtë dy pengesa për të kaluar, që të mos kalojë ligje brenda natës për të zhvatur xhepat e shqiptarëve, për të pasuruar oligarkët. Kufizim të termave Blendi, nuk ka pse Shqipëria të ketë një kryeministër për më shumë se 8 vite.

Blendi Fevziu: Jeni të gatshëm ta propozoni këtë?

Lulzim Basha: Absolutisht, jam i vendosur ta propozoj dhe nëse në parlamentin e ardhshëm nuk do të kem vota për ta kaluar këtë si kryeministër, do t’i drejtohem popullit me referendum që kurrë më Shqipëria të mos ketë një kryeministër për më shumë se 8 vite. Kurrë më kryeministri të mos ketë më shumë se 2 mandate.

Blendi Fevziu: Por nuk e ka asnjë vend në Europë.

Lulzim Basha: Asnjë vend nuk ka pasur këto rekorde të zeza. Kur shoqëria shqiptare të ketë mundësinë të zhvillohet si shoqëritë e tjera, atëherë mund ta heqim këtë kufizim. Sot jam i vendosur ta vendosim këtë kufizim.

“Nuk ka shans”, Basha mohon çdo mundësi koalicioni me Ramën

Në studion e “Opinion” Lulzim Basha mohoi çdo mundësi për një koalicion qeverisës mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama.

“Nuk ka shans që Lulzim Basha dhe Edi Rama të bashkëqeverisin”.

Edhe nëse Edi Rama ka nevojë për votat tuaja ose ju keni nevojë për votat e Ramës, nuk do të ketë një koalicion mes jush?

Edi Rama është një autokrat i korruptuar, një hajdut ordiner dhe një kufomë politike që mezi po presin ta varrosin dhe të vetët.

Po nëse qytetarët do të vendosin, pra nuk do të gjendet një fitues, do ketë një koalicion?

Nuk ka shans që shqiptarët të vendosin të bashkëjetojnë me një kufomë që po qelb Shqipërinë, po shkatërron ekonominë dhe po u vjedh të ardhmen fëmijëve të tyre.

Pra thënë ndryshe, ju po thoni që nuk do të ketë një koalicion me Edi Ramën, në asnjë rrethanë?

Po ju them se në mënyrë absolute Edi Rama ka marrë fund në politikën shqiptarë. Ai ka një gjë në dorë, nëse do ta bëjë largimin dhe tranzicionin në mënyrë sa më normale, me sa më pak dhimbje, apo nëse do ta bëjë në mënyrë të dhimbshme për popullin, por faturën do ta paguajë vetë.