Takimi i radhës së Këshillit Politik nuk ka një orar dhe datë, edhe pse duhen edhe dy ditë nga afati që vetë forcat politike i kanë vendosur vetes për përfundimin e Reformës Zgjedhore. Përdorimi i teknologjisë duket se është “molla e sherrit” mes palëve.
Përfaqësuesi i maxhorancës në tryezë, Damian Gjiknuri, tha se do të ishte mirë që edhe liderët kryesorë politikë, kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, të takoheshin.
“Nuk kam frikë ta them këtë, i bën shumë mirë Shqipërisë nëse takohet Rama me Bashën”, tha Gjiknuri. Ai shtoi se diskutimet nuk do të ndalen. “Le të them se kjo është mbledhje e hapur, vazhduese. Edhe sot në darkë mund të mblidhemi, edhe nesër. Të mblidhemi 48 orë-50 orë, vetëm e vetëm që të kemi një rezultat”.
Sa i përket teknologjisë, Gjiknuri tha se maxhoranca ishte e gatshme ta pranonte, por jo që të ishte kusht për njohjen e zgjedhjeve. “Jemi dakord ta përfshijmë teknologjinë në identifikimin elektronik, por a është e mundur? Teknologjia do kohën e vet. Ne po themi të bëjmë një studim, dhe ekspertët të na thonë sa kohë do teknologjia për t’u shtrirë në të gjithë vendin. Nëse do për pjesore, PD të zgjedhë që e do në qendrat që mendon se nuk ka pasur zgjedhje të rregullta”, u shpreh Gjiknuri.
“Pa u arritur konsensusi mbi këto çështje, është e pamundur të shkohet më tej. Nëse PS do të heqë dorë nga taktikat zvarritëse, duke pretenduar vetëm zgjedhje të pjesshme të identifikimit biometrik të zgjedhësve, nuk mund të vazhdojmë”, tha përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi. “Identifikim biometrik, votim dhe numërim në të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet e ardhshme, ky është propozimi i opozitës. Përpjekjet e Gjiknurit për pamundësinë, janë vetëm përpjekje që një pjesë e madhe e kutive të votimit të mbushen dhe të votohet me kartë identiteti të falsifikuar, apo në fund të ditës komisionerët të mbushin kutitë në mënyrë haptazi kriminale. Nëse nuk bëhet ajo që sugjerojmë ne sigurisht që procesi zgjedhor është i manipuluar. Qeveria tranzitore është kërkesë e padiskutueshme e jona. Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë që kjo garanci të jetë e plotë”.