Aktualitet Publikimi i videos së nënës të 15-vjeçarit, PD kërkon shkarkimin e Ardi...

Publikimi i videos së nënës të 15-vjeçarit, PD kërkon shkarkimin e Ardi Veliut

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka publikuar një video të zonjës Zaida Çobo, mamaja e 15-vjeçarit Sarandi Çobo, i cili u dhunua nga punonjës të policisë pranë liqenit artificial të Tiranës dy javë më parë, ndërsa shprehet se kjo e fundit shfaqet me pistoletë në dorë.

Gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, Veliu tha se nuk e përdori këtë video si argument për të justifikuar punonjësin e policisë që ushtroi dhunë nga adoleshentit, por tha se e bëri për të kuptuar se nga cila familje vjen djali, sa i edukuar është dhe se sa i është bindur thirrjes së policisë.

Ishte pikërisht kjo deklaratë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që ngjalli reagime të forta në publik dhe hasi në kundërshti.

Në një deklaratë për mediat, në emër të Partisë Demokratike, Oriola Pampuri ka kërkuar që kryeministri i vendit, Edi Rama, ta shkarkojë nga detyra menjëherë Veliun.

“Ardi Veliu, me zë dhe figurë, ka dhunuar sot për herë të dytë viktimën e policisë. Duke përgojuar dhe sajuar të pavërteta kundër nënës së djalit të rrahur barbarisht, Ardi Veliu justifikoi dhunën policore kundër minorenit. Sipas këtij qëndrimi kriminal, nëse Ardi Veliut nuk i pëlqej çfarë bëj unë apo ti, atij i lind e drejta të na rrahë fëmijët, pastaj të gërmojë në jetën tonë private, të vjedhë fotot dhe videot tona në rrjetet sociale, siç ka bërë me ato të nënës së djalit, të sajojë me to një histori dhe, në fund, ta bëjë atë publike për të na dhunuar e për të na poshtëruar përsëri”.

Pampuri shprehet se Ardi Veliu e bëri këtë veprim në vendin ku duhet të ishim më të mbrojtur, në Parlamentin e Shqipërisë.

“Edhe sikur të mos e dinin se video që tregoi Ardi Veliu është skenë nga një shesh xhirimi i një filmi të njohur ku nëna e 15 vjeçarit ka marrë pjesë, është e neveritshme të shohësh sesi burra e gra deputete heshtin përpara një akti kaq të rëndë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Asnjëri prej tyre nuk guxoi të ngrejë zërin kundër këtij qëndrimi sadist, që shkel disa të drejta elementare të njeriut”.

Për Partinë Demokratike, nuk ka asnjë habi për këtë akt prej krimineli gjakftohtë, siç e cilësoi ish-deputetja.

“Ky është i njëjti person që drejtoi dhunën kundër opozitës gjatë protestave qytetare. Dhe është, sërish, i njëjti kriminel gjakftohtë që urdhëroi hyrjen e policisë në teatër me automatikë, që e rrethoi atë me snajper dhe dhunoi gratë, vajzat, të rinjtë dhe opozitën që kërkonte ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të pronës publike nga vjedhja. Ardi Veliu duhet të shkarkohet sot! Me sulmin e sajuar kundër një nëne kryefamiljare, që ka rritur e vetme 3 fëmijë, me justifikimin e dhunës policore kundër djalit të saj 15 vjeçar për shkak të prejardhjes familjare, ai është një klonim i rrezikshëm i sigurimit dhe i hetuesit kriminel të diktaturës. Ardi Veliu është sot turpi i Policisë së Shtetit! Ai është fytyra sadiste e Ministrit të Brendshëm, i kryeministrit dhe i këtij pushteti që u ble nën kërcënimin dhe dhunën e parave të pista. Po të ishte ndryshe, Edi Rama do ta kishte shkarkuar tani Ardi Veliun dhe do ta kishte përjashtuar atë me turp përjetë nga radhët e policisë!”