Policia e Lezhës ka goditur një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.
Finalizimi i operacionit policor “Gjadëri” nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ka vënë në pranga 4 persona.
Gjatë operacionit u bë i mundur identifikimi dhe lokalizimi i automjetit që dyshohej se mund të transportonte lëndën narkotike dhe në fshatin Gjadër, Lezhë, shërbimet e Policisë ndërhynë duke bllokuar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin K. D.
Mjeti tip “BMW” që transportonte lëndën narkotike paraprihej nga 2 mjete të tjera, me qëllim vënien në dijeni në rast konstatimi të pikave të kontrollit nga ana e Policisë.
Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në sediljen e pasme dhe në bagazh, 95 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
“Në vijim të veprimeve, Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit në të cilin u gjet lënda narkotike, shtetasin K. D., 23 vjeç, banues në Shkodër dhe ka bërë ndalimin e shtetasve K. L., 28 vjeç, A. T., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe K. T., 50 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në dy mjetet që po kontrollonin rrugën”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në tre mjete u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe 11 mijë euro.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.