Akuzave të PD se ka bërë fluturime me charter në Paris për të kaluar fundjavën, Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet përmes një postimi në Twitter.
“Unë s’jam në Francë po në Shqipëri qysh pardje! Kam shkuar pasditen e të premtes e jam kthyer mesditën e të shtunës për një vizitë informale të nivelit të lartë dhe “shpenzimet e luksit e të fundjavave jashtë” ua kam lënë atyre që të vetmen punë kanë të më shajnë ditë-natë! Pikë”.
Kreu i qeverisë ka reaguar po ashtu edhe për Reformën Zgjedhore, teksa thotë se mazhoranca ka bërë pjesën e saj dhe se e ka respektuar afatin kohor, por se do të presë edhe një ditë.
“Sa për Reformën Zgjedhore dhe dizinformimet që vazhdojnë, do të presim edhe sot pa folur pasi kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj! Sot kemi angazhuar edhe ushtrinë për operacionin e pastrimit të inerteve nga sheshet e Rindërtimit, ku shpejt do të nisin projektet”, shkruan Rama.
Paraditen e kësaj të hënë kanë reaguar edhe ambasadorja e SHBA Yuri Kim dhe ambasadori i BE Liugi Soreca, të cilët kanë bërë thirrje sërish për të përfunduar Reformën Zgjedhore, pasi palët ende nuk kanë gjetur një konsensus, edhe pas kalimit të afatit të 31 Majit.