Mes protestave të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara mbi vdekjen e George Floyd-it ndërsa mbahej nga policia, zyrtarët e shtetit kanë fajësuar provokatorë të jashtëm ekstremistë, duke thënë se ata përzihen me protestuesit e ligjshëm për të nxitur dhunën.
Guvernatori i shtetit Minesota Tim Walz citoi raportet e pakonfirmuara të shtunën se supremacistët e bardhë kishin qëndruar prapa protestave të dhunshme në Minneapolis, ku Floyd-i, i cili ishte afrikano-amerikan, vdiq të hënën e kaluar.
Kur nuk ishte bërë ende një deklaratë e tillë, Presidenti Donald Trump drejtoi gishtin drejt ekstremistëve të një ngjyre të ndryshme: aktivistëve antifashistë të krahut të majtë të njohur si antifa.
Duke fajësuar Antifa-n për dhunën që ndodhi në protesta në të gjithë vendin, Presidenti Trump u zotua ta përcaktojë atë si një organizatë terroriste.
Prokurori i Përgjithshëm William Barr, nga ana e tij, paralajmëroi se dhuna e ushtruar nga antifa dhe grupe të tjera të ngjashme është “terrorizëm i brendshëm” dhe se do të trajtohet si e tillë.
Në vazhdim i hedhim një vështrim lëvizjeve ekstremiste të dyshuara për përfshirje në protesta:
Supremacistët e bardhë
Supremacistët e bardhë janë individë dhe grupe që besojnë në epërsinë e racës së bardhë, kundërshtojnë imigracionin dhe, në disa raste, mbrojnë dëbimin nga vendi i jo të bardhëve. Ndërsa dikur lëvizja prodhonte grupe të organizuara si Ku Klux Klan dhe organizatat neo-naziste, lëvizja është bërë gjithnjë e më e shpërndarë dhe pa një udhëheqës në vitet e fundit, me shumicën e anëtarëve që veprojnë tani në internet.
Megjithëse shumë supremacistë të bardhë nuk mbrojnë dhunën, një numër në rritje i individëve të frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë kanë kryer sulme vdekjeprurëse me armë vitet e fundit. Elementët e dhunshëm të ekstremit të djathtë njihen si “përshpejtuesit” sepse kërkojnë të përshpejtojnë një luftë të re racore. Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka thënë se shumica e hetimeve të FBI-së për terrorizmin e brendshëm përfshijnë grupe të bardha supremaciste.
“Djemtë Boogaloo”
Një mishërim relativisht i ri i lëvizjes paraushtarake kundër qeverisë, djemtë Boogaloo janë një komunitet në internet i aktivistëve pro-armëve që dëshirojnë një boogaloo të dytë, termin e tyre për luftë civile. Lëvizja u ngrit verën e kaluar kur supremacistët e bardhë përvetësuan termin për një arsye të tyren: një luftë racore në vend të një lufte civile, thotë Megan Squire, profesore e shkencës kompjuterike në Universitetin Elon. Kryesisht të bardhë, edhe pse jo ekskluzivisht të tillë, anëtarët e lëvizjes Boogaloo kanë qenë duke e promovuar veten si libertarianë që luftojnë tiraninë, sipas zonjës Squire.
Antifa
Në varësi se kë pyesim, Antifa, shkurtim i fjalës antifashist, është një lëvizje e aktivistëve të majtë që kundërshtojnë neo-nazistët dhe grupet e tjera ekstremiste ose, siç e thotë një kritik, një “lëvizje ekstreme anarkiste-komuniste”.
Duke u organizuar në mediat sociale, ndjekësit e antifas shfaqen në mitingje të krahut të djathtë të veshur me të zeza dhe duke mbajtur maska, dhe shpesh përfshihen në konfrontime të dhunshme.
Simpatizuesit e Antifës ishin në mesin e kundër-protestuesve që dolën kundër mitingut “Bashkimi i së djathtës” në vitin 2017 në Charlottesville, Virginia, që u shndërrua në një ngjarje të dhunshme.
Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë thotë se nuk e etiketon antifan si një grup urrejtjeje pjesërisht sepse anëtarët e saj “nuk promovojnë urrejtje bazuar në racë, fe, etni, orientim seksual ose identitet gjinor”.
Duke pasur parasysh që antifa nuk është një grupim, është e pasigurt sesi Presidenti Trump synon ta etiketojë atë si një organizatë terroriste. Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Anarkistët
Me simpatizantët nga e djathta dhe e majta, anarkistët e shohin qeverinë si të paligjshme dhe përpiqen të mbjellin kaos. Historia e tyre në Shtetet e Bashkuara shtrihet në më shumë se një shekull, kur një anarkist vrau Presidentin William McKinley në vitin 1901.
Sot, shumë anarkistë të rinj janë anëtarë të Aksionit Anti-Racist, një rrjet kombëtar i shoqatave antifa, sipas Qendrës Ligjore Jugore të Varfërisë (SPLC). Kritikët shpesh denoncojnë ndjekësit e antifa-s si anarkistë, me Presidentin Trump që fajëson për protestat e fundit të dhunshme “anarkistët e majtë radikalë”.
“Në pjesën më të madhe, anarkistët që shohim këtu në Shtetet e Bashkuara kanë tendencë të jenë më të zhgënjyer me të majtën progresive,” tha Brian Levin, profesor i drejtësisë penale në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë.
Por anarkistët gjithashtu lulëzojnë nga e djathta. Për shembull, Anarkistët Kombëtare të Zonës së Gjirit, “parashikojnë një luftë të ardhshme racore që do të çojë në enklavat neo-fisnore, vetëm me njerëz të bardhë, të cilat do të quhen” Zonat Autonome Kombëtare”, sipas SPLC-së./VOA