Politika Celibashi: Roli i ndërkombëtarëve, themelor për reformën zgjedhore

Celibashi: Roli i ndërkombëtarëve, themelor për reformën zgjedhore

Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi e vlerëson si thelbësor rolin e ndërkombëtarëve në reformën zgjedhore. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, Celibashi theksoi rëndësinë që ka kontributi i amerikanëve dhe partnerëve europianë.

“Për fat të mirë, por edhe për fat të keq ne kemi nevojë për rolin e ndërkombëtarëve dhe të miqve tanë, flas këtu për SHBA dhe BE, por edhe të tjerë jashtë tyre. Kontributi i tyre është themelor në aspektin pozitiv për të patur zgjidhje që nuk shkojnë në të kundërt me interesat e qytetarëve. Edhe predispozita e tyre, unë  e shoh pozitive. Ata nuk kanë interesa të biznesit politik, as interesa të ditës. Në këtë analizën time, këto interesa janë mjaftueshëm të përputhur me interesat e qytetarëve shqiptarë. Por problemi këtu është që kjo nuk është shumë e dëshirueshme dhe nuk të lë një shije të mirë kur edhe për çështje të karakterit të themi të zakonshëm ne na duhet që tu biem derës së miqve. Dhe ajo çfarë është ironike është që kur këshilla e tyre shkon për interesin tonë ata bëhen të dëgjueshëm, kur këshillat e tyre nuk shkojnë me interesin tonë të ditës poliitk ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë.”- tha Celibashi në Përballë.

Shabani: Basha ka qenë pro listave të hapura, ende s’po e thotë publikisht

Endri Shabani nga Nisma Thurje thotë se Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë pro listave të hapura. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, ai u shpreh i çuditur për qëndrimin aktual të kryedemokratit.

“Për shembull zoti Basha gjatë gjithë kohës së lobimit, në të gjitha kontaktet që ne kemi pasur ka qenë pro listave të hapura. Ende nuk po del publikisht që ta mbështesë dhe ta çojë përpara këtë kërkesë. Pra kanë zgjedhur një strategji të çuditshme për t’iu shmangur debatit, por njëkohësisht për të mos e zgjidhur problemin. Dhe pse nuk duan? Ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve. Manipulimi i zgjedhjeve ndodh në disa faza, po ndodh në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme.”- tha Shabani në Përballë.

Nisma Thurje i ka dorëzuar deputetëve opozitarë Hajdari e Gjoni, një peticion të firmosur nga mbi 50 mijë qytetarë ku adreson disa ndryshime ligjore që lidhen me Reformën Zgjedhore. Shabani theksoi se përse janë të rëndësishme këto ndryshime.

“Për herë të parë kemi një ndërgjegjësim të madh të opinionit publik për një çështje që është parë gjithmonë si domein o partive politike. Pra këto janë format e presionit që ne jemi përpjekur të ushtrojmë ndaj dy kryetarëve të partive politike të cilët janë në tryezë dhe po I negociojnë. Unë nuk di se si mund të zbatohen rekomandimet e OSBE ODHIR pa adresuar sistemin zgjedhor. Pra janë të ndërthurura me njëra tjetrën. Sistemi zgjedhor është i plotë, pra ti nuk mundet të adresosh as vjedhjen e votës as incentivave që ne i japim grupeve kriminale.  Modeli i propozuar nga Ambasada Amerikane nuk kërkon ndryshime kushtetuese. Pra, propozon një listë mikes ku partitë mund të garojnë me njëra-tjetrën me listat e tyre paraprake vetëm se nëse votuesi është dakord me listën e partisë voton partinë, nëse nuk është dakord voton për një kandidat brenda listës.”- tha Endri Shabani në Përballë.