Vijojnë të injorohen oraret e ndalim qarkullimit në qytetet amerikane ku me mijëra njerëz për të tetën ditë më radhë protestojnë të indinjuar kundër dhunës së policisë dhe vdekjes së afroamerikanit George Floyd.
Në Nju Jork pas ankesave se qyteti ka dalë jashtë kontrollit, kryebashkiaku Bill de Blasio zhvendosi oraret e ndalim qarkullimit nga ora 11 e mbrëmjes deri në orën 8 të mëngjesit por kundërshtoi një kërkesë nga Presidenti Donald Trump për të nxjerrë në rrugë Gardën Kombëtare.
E ndërsa trazirat vijojnë nuk kanë ndalur edhe arrestimet nga policia.
Protestuesit vijojnë të thërrasin “Nuk mund të marr frymë”.
Protestës në kryeqytetin i mungonte tensioni i demonstratave të netëve të mëparshme.
Në një tjetër formë, protestuesit organizojnë demonstrime si të arrestuar të shtrirë në tokë pranë Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa në Minneapolis nëna e vajzës 6-vjeçare të George Floyd tha që dëshironte që bota ta dinte se vajza e saj e vogël humbi një baba të mirë i cili nuk do ta shihte vogëlushen e tij të rritej.
“Jam këtu për vajzën time dhe jam këtu për George sepse dua drejtësi për të, dua drejtësi sepse ishte një njeri i mirë. Pavarësisht se ç’mendojnë të tjerët ai ishte i mirë”, u shpreh Roxie Washington.
46-vjeçari Floyd vdiq pasi një polic i vendosi gjurin në qafë për disa minuta duke i marrë frymën ndonëse ai iu përgjërua që ta linte të lirë.