Ish-presidenti amerikan iu drejtohet më shumë të rinjve: Shkoni të votoni për të detyruar të gjithë shoqërinë të ndryshojë faqe
“Nuk kam parë kurrë një krizë kaq të rëndë në jetën time. Duhet ta përdorim për të provokuar një rizgjim të të gjithë kombit”. Për herë të parë që nga fillimi i protestave për vdekjen e George Floyd, e merr fjalën Barack Obama. Ndërhyrja e presidentit të parë afroamerikan në histori pritej nga shumë, për ti dhënë një kuptim tragjedisë që vendi po përjeton.
“Të mos harrojë që ky komb është themeluar nga protestat, nga ajo që quajmë Revolucioni amerikan. Çdo progres i historisë tonë, çdo riforcim i lirisë, çdo shprehje e idealeve tona më të thella janë arritur nëpërmjet përpjekjeve që kanë prishur status quo. Duhet t’iu jemi mirënjohës atyre që po protestojnë në mënyrë paqësore dhe të disiplinuar, sepse kërkojnë të bëjnë ndryshimin”, tha Obama gjatë një tubimi virtual në internet të organizuar nga organizata My Brother’s Keeper Alliance, që ai themeloi në vitin 2014 për të trajtuar çështjet që prekin të rinjtë afrikano-amerikanë.
Amerika “do të bëhet më e mirë”
Ish-Presidenti Barack Obama tha se ai është optimist se Amerika “do të bëhet më e mirë” sepse të rinjtë janë të përfshirë në trajtimin e çështjeve që kanë çuar në organizimin e protestave në rrugë.
Ish-presidenti Obama nuk përmendi askënd me emër, përfshirë Presidentin Donald Trump, të mërkurën. Por ai tha se ishte koha për të nxjerrë në pah problemet dhe për “t’i vendosur njerëzit në pushtet në një pozitë të pakëndshme”.
Ai tha se dëshironte që ata që ndjehen të shënjestruar nga policia dhe të tjerët për shkak të racës së tyre se jeta dhe ëndrrat e tyre janë të rëndësishme. Obama tha se ata duhet të jenë në gjendje të ecin në rrugë, dyqane, madje edhe të shikojnë me endje zogjtë në një park pa u shqetësuar fare.
Shembulli i fundit i referohej thirrjes së policisë nga një grua e bardhë pasi një afrikano-amerikan i tha asaj që të lidhte qenin në Parkun Qendror të Nju Jorkut.
Obama vuri në dukje se njerëzit që punojnë në forcat e zbatimit të ligjit kanë një punë të vështirë, dhe se shumë prej tyre janë të zemëruar nga keqtrajtimet e kryera nga disa prej kolegëve të tyre të policisë.
Ai tha se shumica e policisë janë në detyrë për të mbrojtur njerëzit, për të shërbyer dhe janë një “pjesë thelbësore” e debatit.
Ish-Presidenti Obama tha se ndërsa disa njerëzit po krahasojnë marshimet e protestës së kësaj jave me ato të viteve 1960, “unë kam njohuri të mjaftueshme për atë histori për të thënë: Këtu ka diçka ndryshe“. Obama tha se ata që marshojnë tani janë një përfaqësim shumë më i madh i Amerikës sesa 50 vjet më parë. “Kjo nuk ekzistonte në vitet 1960, një koalicion i gjerë i këtij lloji“, vuri në dukje Obama.
“Votoni për ndryshimin”
Ai gjithashtu u tha të rinjve se ndryshimi duhet të vijë përmes votimit dhe mosbindjes civile, jo vetëm protestave në rrugë.
“Duhet të bëjmë të mundur që Amerika të ndryshojë vërtet. Ju të rinjtë keni kurajon që të jeni jo komodë për të gjithë ne. Impenjohuni, merrni pjesë, shkoni të votoni për të detyruar të gjithë shoqërinë të ndryshojë faqe”.
Një tjetër ish-president gjithashtu foli për trazirat aktuale për herë të parë të mërkurën.
Jimmy Carter gjithashtu nuk pranoi të thërriste me emër Presidentin Trump ose dikë tjetër kur lëshoi një deklaratë në të cilën thoshte se “Ne kemi nevojë për një qeveri aq të mirë sa njerëzit e saj, dhe ne jemi më të mirë se kjo”.
Zoti Carter tha se ai dhe ish zonja e parë Rosalynn janë “të trishtuar nga padrejtësitë tragjike racore dhe reagimet e pasuara në të gjithë vendin tonë javët e fundit”, por shtoi se dhuna nuk është zgjidhje.