Komisioni Evropian u kërkon shteteve anëtare të heqin kufizimet kufitare deri në fund të këtij muajit dhe të lejojnë udhëtimin e lirë mes vendeve të bllokut. Sipas komisioneres për çështjet e brendshme, Ylva Johansson situata pandemike po përmirësohej me shpejtësi.
“Jemi shumë pranë një situate kur duhet të heqim të gjitha kufizimet e brendshme kufitare. Një afat i mirë do të ishte fundi i muajit”, u shpreh Ylva Johansson.
Komisionerja tha se ishte e lumtur të shihte se disa shtete anëtare i kanë zbutur kontrollet kufitare. Ndërsa sezoni turistik afrohet, vendet rreth Evropës po nxitojnë të heqin kufizimet ndaj lëvizjes së lirë duke hapur dyert për turistët.
Italia e ndërmori hapin e madh në 3 qershor, duke lejuar hyrjen e të gjithë shtetasve nga zona Shengen. Për shumicën e shteteve anëtare, përfshirë Greqinë, Francën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Çekinë, data e rihapjes do të jetë 15 qershori.
Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar dhe kufijtë nuk do të hapen për të gjithë. Austria riktheu lëvizjen e lirë për të gjithë fqinjët e saj ditën e enjte, por duke përjashtuar Italinë. Qeveria e Vjenës tha se më vonë, mund të lejonin hyrjen e shtetasve Italinë, nga rajonet me numër të ulët infektimesh.