Pas propozimit të FIFA-s dhe miratimit nga IFAB, edhe Federata Italiane e Futbollit ka vendosur të lejojë aplikimin e 5 zëvendësimeve për skuadër, në ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020, që pritet të startojnë më 13 qershor.
Vendimi është marrë pasditen e sotme pas një mbledhjeje të Këshillit Federal, që ka vendosur të miratojë ndryshimin në rregullore dhe lejimin e kryerjes së 5 zëvendësimeve, por ashtu siç është parashikuar, në vetëm 3 intervale kohore, përveç pushimit mes pjesëve.
Rregulli
Ky rregull do të jetë në fuqi vetëm për ndeshjet e sezonit 2019-2020 dhe më pas gjithçka do të rikthehet si më parë, me vetëm 3 zëvendësime të lejuara, ndërsa shkak i aplikimit të kësaj risie ishte edhe fakti që futbollistët pritet të përballen me një lodhje më të madhe se zakonisht.
Kjo pasi koha për të zhvilluar ndeshjet e mbetura është e shkurtër dhe skuadrat do të duhet të zbresin në fushë çdo tre ditë, ndërsa këtyre u shtohet edhe fakti që pritet të luhet në temperatura shumë të larta.
Në Itali pati disa klube të vogla që u ankuan për lejimin e 5 zëvendësimeve, pasi sipas tyre, kjo rregullore favorizon skuadrat e mëdha, që kanë alternativa të shumta në pankinë dhe mund të freskojnë skuadrën pa humbur aspak cilësi në fushë.
Edhe Premier League
Edhe Premier League ka miratuar propozimin e FIFA-s për të lejuar 5 zëvendësime për ndeshje, në takimet që pritet të luhen kur të rinisë kampionati, i parashikuar për në 17 qershor pas ndalesës për shkak të koronavirusit. Por, këto 5 zëvendësime për secilin ekip duhen kryer në vetëm 3 momente gjatë lojës, përveç atyre që mund të bëhen në pushimin mes pjesëve. Sipas normativës së re, një trajner nuk mund ta ndërpresë më shumë se tre herë lojën për të bërë zëvendësime.
Klubet kanë vendosur gjithashtu të shtojnë njëkohësisht edhe numrin e zëvendësuesve që ulen në pankinë nga shtatë në nëntë.
Kjo masë, shkruhet në vendim “është konform modifikimeve provizore të rregullave të caktuara (International Board) në muajin e kaluar”. Kampionati anglez do të rifillojë në 17 qershor dhe janë 92 ndeshjet që do të zhvillohen për të çuar në fund sezonin.