Kryesore KLGJ e largon nga detyra, Dvorani: Gafë juridike

KLGJ e largon nga detyra, Dvorani: Gafë juridike

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur me shumicë votash për mbarimin e mandatit të Ardian Dvoranit, si anëtar i Gjykatës së Lartë. Vendimi është marrë me 6 vota pro dhe 3 kundër.

Me këtë vendim, Dvorani humbet dhe detyrën si drejtues i këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas largimit nga Gjykata e Lartë, Ardian Dvoranit i lind e drejta për të filluar punë si gjyqtar i Gjykatës së Apelit.

Vendimi për largimin e kreut të KED nga Gjykata e Lartë vjen pas një betejë të gjatë mes tij dhe Presidentit, Ilir Meta, i cili ka kërkuar largimin nga detyra pasi vijonte të ushtronte funksionin pas përfundimit të mandatit në mënyrë të paligjshme. Madje, Presidenti i Republikës e ka akuzuar atë për vendime të njëanshme në favor të qeverisë gjatë proceseve për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Vendim i KLGJ vjen pas përgjigjes që EURALIUS dhe USAID dhanë se nuk mund të japin opinion për këtë çështje, por KLGJ duhet të vendosë vetë. Tashmë Gjykata e Lartë mbetet me tre anëtare dhe një nga këta tre anëtarët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të saj.

Dvorani: Gafë juridike, të shohim ç’do katranosin në arsyetim

Ardian Dvorani ka reaguar menjëherë pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për ta larguar nga detyra si anëtar i Gjykatës së Lartë, gjë që çon automatikisht në ndërprerjen e mandatit të tij dhe në krye të KED.

Përmes zëdhënëses së Gjykatës së Lartë, Dvorani e konsideron këtë vendim të KLGJ një gafë të paimagjinueshme dhe bën me dije se do të presë arsyetimin e tij.

“Zoti Dvorani më autorizoi t’ju shpërndaj këto fjalë. Për momentin nuk kam reagim. Juridikisht është një gafë e paimagjinueshme. Por duhet të shikoj çfarë do të katranosin në arsyetim. Reforma e drejtësisë ka ende rrugë të gjatë për të provuar qëllimin e mirë të saj. Votimi ka qene 6 me 4”, deklaroi zëdhënësja e Gjykatës së Lartë.