Aktualitet Shkatërrohet banda italo-shqiptare, 17 të arrestuar

Shkatërrohet banda italo-shqiptare, 17 të arrestuar

Shkatërrohet një bandë italo-shqiptare. 17 shtetas u arrestuan ditën e sotme në Itali, 4 prej tyre shqiptarë, të tjerët italianë, që bënin pjesë në një rrjet trafiku ndërkombëtar narkotikësh.

Në total janë 32 persona të proceduar, ndërsa hetimet kanë nisur që në vitin 2017, pasi në brigjet italiane, u kapën sasi të mëdha marijuane dhe në përfundim të hetimeve u lëshuan urdhër ndalimet për pjesëtarët e rrjetit, rezidentë në disa qytete të Italisë.

Si prova materiale u kapën dhe sekuestruan mbi 4 ton marijuanë, 0.5 kg kokainë, 27 mijë euro, 1 gomone, 3 autovetura, armë zjarri e sende të tjera me vlerë për hetimin.

Policia tha se personat e arrestuar vepronin si organizatë e strukturuar kriminale dhe kryenin transportin, magazinimin, shpërndarjen, shitjen etj., të drogës nëpër qytete të ndryshme të Italisë e kryesisht në veri të këtij vendi.

Operacioni për arrestimin e të kërkuarve i koduar “Beached”, u zhvillua gjatë natës së djeshme dhe ditës së sotme dhe në të u angazhuan njësi të ndryshme të strukturave ligjzbatuese italiane, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Shqiptare në një bashkërendim operativ mes të dy palëve.