Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari foli për mediat pas përfundimit të takimit të radhës të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Hajdari tha se tani beteja e saj zhvendoset në Parlament.
Ajo deklaroi se do të luftojë për ndryshim sistemi dhe për të garantuar votën e emigrantëve.
“Këshilli Politik e ka përfunduar pjesën politike të marrëveshjes. Tani po flasim për gjëra që i kanë në dorë ekspertët. Kemi rënë dakord për marrëveshjen që riktheu LSI dhe PD. Tani duhet ta kodifikojmë. Beteja ime tani është në parlament ku do diskutojmë gjerësisht për elementët që duhet t’i shtohen reformës zgjedhore. Pa ndryshuar marrëveshjen, por duke shtuar disa elementë. Ne do shkojmë duke propozuar elementë shtesë, duke propozuar lista të hapura. Do propozojmë ndryshim sistemi, atë proporcional me lista të hapura. Do ngulim këmbë mbi propozimin e votës së diasporës. Ata emigrantë që e kanë mbajtur Shqipërinë me remitanca t’u jepet kjo e drejtë. Ne jemi të qartë për atë që duam. Tek administrata zgjedhore duhet të shohim mundësinë e numërimit elektronik. Beteja ime në Këshillin Politik ka mbaruar.”