Mbi dy shekuj pas kohës kur ka jetuar, Maria Antoneta “kapet në flagrancë”. Mbretëresha e fundit e Francës së para revolucionit, mes të tjerash, është përmendur shpesh edhe për natyrën e marrëdhënies që ka pasur me diplomatin suedez, Axel de Fersen. Tani studiuesit kanë provat se ajo ka qenë një marrëdhënie sentimentale. Falë një skaneri të gjeneratës së fundit, ata kanë arritur të deshifrojnë pasazhe sekrete në korrespondencën midis dy dashnorëve plot 229 vjet pasi janë shkruar letrat.
“Mirupafshim, mikja ime e mirë, nuk do të rresht kurrë së të adhuruari”. Këto fjalë shkruhen në fund të një letre të datës 12 tetor 1791, nga diplomati suedez Axel de Fersen. Një “dorë” është kujdesur t’i fshehë këto fjalë duke i bërë të palexueshme.
Letra është pjesë e një epistolari me rreth gjashtëdhjetë letrash dhe mesazhesh, të marra nga Arkivat Kombëtare në vitet 1980, të shkëmbyera midis kontit suedez dhe mbretëreshës midis 1791 dhe 1792, kur familja mbretërore franceze ishte zhvendosur në Tuileries. Studiuesit kanë zbuluar se ka qenë një stërnip i Fersenit, Baroni Rudolf Maurits von Klinckoëström, i cili e ka përmendur një gjë të tillë në 1877, duke bërë të ngrihej miti i dashurisë klandestine që lindi në orët e errëta të Revolucionit Francez.
Ishte pikërisht fisniku dhe diplomati suedez që organizoi arratisjen e pafat të mbretërve në qershor 1791, që çoi në arrestimin e Luigjit XVI të maskuar si borgjez. Fersen arriti të mbante një korrespodencë të ngushtë me mbretëreshën, pavarësisht kontrolleve të revolucionarëve.
Vëmendja e studiuesve u përqendrua në rreth pesëmbëdhjetë letra që kishin pasazhe – fjalë, ose rreshta të tërë – qartësisht të modifikuar: të vendosura në krye ose në fund të tekstit, ato paraqiten si mesazhe personale midis dy korrespondentëve. Të shkruara me të zezë, tekstet origjinale dhe fshirjet që u janë bërë më pas, megjithatë, karakterizohen nga një bojë tjetër, të cilën skaneri i ri i përdorur nga studiuesit francezë është në gjendje ta dallojë, duke lejuar aksesin në të dy nivelet e tekstit.
Ajo që zbulojnë disa nga dokumentet është se konfirmohet teza e marrëdhënies sentimentale, edhe nëse për natyrën e saj – asgjë nuk është burim kureshtjeje më shumë sesa morali i një sovrani, madje edhe më shumë nëse flitet për ato si Marie Antoinette – nuk mund të nxirren përfundime të padiskutueshme. Siç tregon për “Le Monde”, Isabelle Aristide, kuratore e Arkivit Kombëtar, zbulimet e reja konfirmojnë se dokumentet “nuk formojnë një korrespodencë erotike pasi asnjë prej këtyre letrave, e shkruar midis fundit të shtatorit 1791 dhe fillimit të janarit 1792, nuk i është përkushtuar tërësisht kësaj teme. E megjithatë ata zbulojnë se Ferseni ka qenë gjithçka tjetër përveçse një diplomat i rreptë kur i shkruante mbretëreshës: “Të të shoh, të të dua, të të ngushëlloj është gjithçka që dua”, ndërsa ajo i përgjigjesh: “Qava duke menduar se mund ta kaloje gjithë dimrin në Bruksel”. Pavarësisht ishte apo jo një ndjenjë e dëlirë, përmbajtja e letrave duhet t’i jetë dukur e tepërt Federsenit më pas.
Në fakt ishte vetë ai, sipas analizave të reja të grupit hulumtues parizian, që i ka censuruar letrat e tij dhe përgjigjet e mbretëreshës. Nga frika se do të gjendeshin, vidheshin, humbnin, konti ka dashur të bëjë gjestin e fundit kavalier për “miken e tij të mirë”: fshirjen e provave të asaj ndjenje, duke i lënë të dukshme vetëm për syrin e zemrës së tij. / La Repubblica