Kryesore Çfarë po ndodh me pandeminë në Shqipëri? Flet Eugena Tomini

Çfarë po ndodh me pandeminë në Shqipëri? Flet Eugena Tomini

Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini ka folur në Tv Klan për situatën aktuale me Covid-19, ku ditët e fundit ka pasur shifra të larta të të infektuarve.

Si shpjegohet kjo rritje e rasteve të të infektuarve dhe a ka lidhje me shtimin e testimeve?

Tomini: Kemi një trend në rritje gjatë këtyre ditëve dhe fakti tregon për ulje të vigjilencës dhe zbatimit të masave të kujdesit ndaj Covid. Lehtësimi i hapjes graduale duhej të kishte një përgjigje përkundrejt zbatimit të distancimit  fizik, mbajtjes së maskës në ambiente të mbyllura dhe ruajtjes së etiketës respiratore dhe higjienës personale. Por në fakt është evidentuar e kundërta, e për rrjedhojë do të kemi më shumë kontakte, ekspozim më të gjatë, një trend më të lartë të pozitiviteti sepse dhe gjurmimi është më aktiv.

Sa është mundësia të rikthehemi në karantinë?

Tomini: Për t’ju thënë të vërtetë është më e rëndësishme zbatimi i disa masave që janë shumë të thjeshta për të ecur para, se sa për tu kthyer pas. Të gjitha e provuam karantinën, të gjithë patëm efektin e masave të izolimit të theksuar, por është shumë e rëndësishme nëse duam të ecim përpara të zbatojmë protokollet e sigurisë nga të gjitha subjektet, institucionet,   ndërgjegjësim më i madh tek e gjithë popullata për të mos u kthyer pas.

Sa mund të përballojë spitali infektiv? I vetmi për momentin që po trajton të prekurit nga Covid-19.

Tomin: Është e vërtetë që është vetëm spitali infektiv në dispozicion për situatë, por ka struktura mbështetëse. Aktualisht ka një kapacitet prej 120 shtretërish, ka oksigjenoterapi për çdo shtrat, ka reanimacion në gatishmëri. Sigurisht që strukturat mbështetëse, nëse do të kalojmë përtej pritshmërive apo kapaciteteve të spitalit infektiv, janë në situatë alerti për të përballuar situatën.