Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar sot me pesë vota pro, kërkesën e Partisë Demokratike për të hequr mandatin e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj dhe kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra. Me pesë vota pro, KQZ-ja ka dalë në përfundimin se Malaj dhe Gurra nuk përfshihen në kushtet e ndalimit, duke i konfirmuar kështu në detyrë.
Mbledhja nisi në orën 11:00 dhe përfundoi pas një orë e 20 minuta, mes disa diskutimesh. Gjatë mbledhjes KQZ-ja theksoi se Prokuroria ka kryer një hetim të gjithanshëm për figurën e Malajt, nga i cili rezulton të jetë dënuar, por që në momentin që ka marrë detyrën në administratë, penaliteti i kishte mbaruar.
KQZ ka marrë sot vendimin për kryebashkiakun e Librazhdit, Kastriot Gurra, duke e rikonfirmuar këtë të fundit në detyrë.
“Kastriot Gura nuk është në shkelje, do të vijojë detyrën”, ka qenë ky vendimi i KQZ.
Sakaq edhe Gurra është denoncuar nga PD, e cila e akuzon se falsifikoi vulën e drejtorit të ujësjellësit Librazhd, si dhe se ka qenë i shpallur në kërkim në 2009.
Partia Demokratike denoncoi se kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj ka qenë i dënuar dhe kërkoi që t’i hiqet mandati. Sipas PD-së, më 7 tetor të vitit 1999, Agron Malaj është dënuar nga Gjykata e Matit me 10 muaj burg për “plagosje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.