Bota Trump nis fushatën, theksi te koronavirusi dhe protesta e “së majtës radikale”

Trump nis fushatën, theksi te koronavirusi dhe protesta e “së majtës radikale”

Presidenti Donald Trump mbajti mitingun e shumëpritur në Tulsa të Oklahomës, që shënoi dhe nisjen e fushatës së tij elektorale për zgjedhjet e nëntorit.

Trump ka mbetur i zhgënjyer për shkak të pjesëmarrjes së ulët në sallë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi në fillim të javës se mbi 1 milionë persona kishin kërkuar të ishin të pranishëm në këtë event, por në fakt salla prej 19 mijë ulësesh nuk u mbush plotësisht.

Personat që morën pjesë në tubim nënshkruan dhe një dokument ku i hiqnin përgjegjësinë organizatorëve të fushatës nëse prekeshin nga ndonjë sëmundje. Megjithatë, disa orë para fillimit të ngjarjes, zyrtarët thanë se gjashtë anëtarë të stafit të përfshirë në organizimin e tubimit rezultuan pozitivë me Covid-19.

Presidenti Trump falënderoi të pranishmit në miting dhe fajësoi mediat dhe protestuesit antiracizëm se mbajtën larg mbështetësit e tij. Në fjalën e hapjes, Trump tha se kishte “shumë njerëz të këqij jashtë, që po bënin gjëra të këqija”, por pa i specifikuar.

Testimet për koronavirusin

Në lidhje me pandeminë e koronavirusit, Trump tha se iu kishte kërkuar zyrtarëve që të ngadalësonin testimin sepse kjo gjë çon në zbulimin e më shumë rasteve. Ai e përshkroi testimin si një “thikë me dy presa. “Kjo është pjesa e keqe: Kur bëni testime në përmasa të mëdha, do të gjeni më shumë njerëz dhe do të gjeni më shumë raste. Kështu që unë thashë ngadalësoni testimin. Ata vetëm testojnë”, u shpreh Trump.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë tha se presidenti ishte qartazi duke bërë shaka.

Rivalin e tij demokrat në zgjedhjet presidenciale Joe Biden, Trump e përshkroi si “një kukull të pafuqishëm të së majtës radikale”.

Presidenti gjithashtu përdori një ton të ashpër kur foli për protestat antiracizëm dhe rrëzimin e statujave, të cilat filluan pas vrasjes së, George Floyd.

“Turma të krahut të majtë po përpiqen të vandalizojnë historinë tonë, të përdhosin monumentet tona të bukura dhe të persekutojnë këdo që nuk mendon si ata”, u shpreh Trump.

Ndërkohë, një event anti-Trump, në kujtim të George Floyd, u mbajt në një kishë të Tulsës.

“Mendoj se është e tmerrshme, e pahijshme… E vlerësoj presidentin që ndryshoi ditën nga 19 në 20 qershor, por të vinte këtu këtë fundjavë kur ne festojmë një nga gjërat e pakta që ky vend ka bërë për afro-amerikanët, për gjërat për të cilat u sakrifikuam, mendoj se është qesharake. Gjithashtu, më shqetëson edhe shëndeti i njerëzve”, tha reverendi Robert Turner.