Bota Macron sulmon Turqinë: Po luan një lojë të rrezikshme në Libi

Macron sulmon Turqinë: Po luan një lojë të rrezikshme në Libi

Presidenti Emmanuel Macron ka ashpërsuar retorikën e tij ndaj Turqisë në lidhje me ndërhyrjen e saj në Libi, duke e quajtur atë “të papranueshme”.

Komentet e tij erdhën teksa priti në Pallatin Elize të Parisit presidentin e Tunizisë, Kais Saied.

“Konsideroj se Turqia po luan një lojë të rrezikshme në Libi dhe në shkelje të të gjitha angazhimeve të marra gjatë konferencës së Berlinit”, ka deklaruar Macron.

Macron kritikoi gjithashtu NATO-n për mungesë efikasiteti. Së fundmi, sipas Parisit, anijet turke kërcënuan të hapnin zjarr ndaj një anijeje franceze, e angazhuar në kuadër të misionit të NATO-s në Mesdhe.

“Dhe kur shoh atë që u bë javën e kaluar nën urdhrat e NATO-s në brigjet e Libisë mendoj se është e papranueshme dhe do t’i rikthehem deklaratës time të vitit të kaluar se Aleanca është e paralizuar. Dhe ky është shembulli më i mirë për këtë”, theksoi Macron.

E pasur me naftë, Libia është gërryer nga dhuna që nga rënia e diktatorit Muammar Gaddafi. Fraksione rivale po luftojnë për pushtet dhe po tërheqin përfshirje të jashtme.

Gjatë vitit të fundit janë rritur tensionet mes Francës dhe Turqisë, aleate në NATO, për shkak të operacioneve të njëanshme të Ankarasë në Libi.