Gjatë konferencës së mbajtur sot para mediave në Kosovë, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama foli edhe për Shengenin Ballkanik, të cilin e ka cilësuar si interes strategjik të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ja tani erdhi dhe vera, do të vini në Shqipëri, detin trojet tona e kanë atje nuk e kanë këtu. Sikur të mos kishim humbur kohë me dokrra, kufiri aty do ishte sikur vjen nga Prishtina në aeroport, s’do kishte asnjë kontroll. Kjo është mundësuar falë diskutimeve në përgatitjen e procesit me presidentin e Serbisë dhe në këtë proces nuk duhet ta harrojmë që jemi në paqe dhe duhet t’i kemi korsitë e ndara, edhe për trajtimin e krimeve të luftës edhe për aspekte që kanë të bëjnë me njohjen, edhe për aspekte ekonomike dhe sociale. Presidentin e Serbisë nuk e zgjedhim ne por ne zgjedhim interesi strategjik dhe sinqeriteti në qëllim e mjete me njëri tjetrin”.
Rama me humor tha se ka edhe një përgjigje për të gjitha ata të cilët e quajnë “vëllai i Vuçiçit”.
“Kujt të më thotë vëllai i Vuçiçit, i them amanet mushkat”.
Sa i takon qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës, Rama tha: “Unë besoj se kush është krenar që në kohë paqe lufton me mjete lufte dhe në vend të pushkës ka gjuhën, është për tu ngushëlluar dhe jo për tu admiruar. Paqja ka të tjera kushte dhe kërkesa. Për më tepër lufta me Serbinë është spostuar nga terreni për liri në terrenin diplomatik për njohje. Unë nuk di që lufta diplomatike mund të fitohet duke u barrikaduar dhe duke shpallur tradhtarët lart e poshtë…”