Në Botsvana, shtet në Afrikën jugore, dy janë burimet ekonomike, që e kanë shndërruar atë në një nga më të pasurit të kontinentit. Diamantet dhe turizmi ekologjik. Elefantët janë mbretërit e faunës atje, por për shkaqe ende të pazbuluara, ata po vdesin muajt e fundit me ritme marramendëse.
Ekzemplarë meshkuj, femra, në moshë ose të rinj. Sipas dëshmive, elefantët pa dallim bien në tokë pothuajse papritur, shpesh herë duke u rrotulluar si të kishin hasur probleme neurologjike.
Autoritetet e parqeve natyrore, nga më të ruajturat në atë kontinent, po japin prej javësh alarmin. Rreth 350 ekzemplarë kanë ngordhur nga fillimi i majit, dhe në qershor bilanci tragjik është rritur me 70%.
Në kohë pandemie, disa kanë hedhur hipotezën që shkaku të jetë COVID-19, por ky duket një opsion i pabazuar në fakte.
Shumë të tjerë po tregojnë shenja dobësimi të menjëhershëm, që mund t’i paraprijë një tjetër hemorragji elefantësh. Zona ku ndodh fenomeni i frikshëm ndodhet në deltën e lumit Okavango, ku jetojnë rreth 15 mijë elefantë, 10% e popullsisë totale.
Një epidemi e përhapur i këtij komuniteti do të ishte një tragjedi jo vetëm për Botsvanën, por për gjithë adhuruesit e këtyre gjigantëve të mirë.