Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar turin e takimeve të tij në juglindje të vendit. Pas Pogradecit e Korçës, këtë të hënë, kreu demokrat u ndal në Devoll.
Gjatë takimit që pati me fermerët, Basha tha se atyre u mungon mbështetja nga qeveria me subvencione.
Basha premton se në programin e tij do të jenë të përfshira 100 milionë euro subvencione çdo vit. Me këtë shifër, sipas kryeopozitarit do të arrihet të stabilizohet gjendja që fermeri të dalë nga kriza dhe t’i hapen kushtet e barabarta konkurrencës në tregun vendas.
“T’i japim impulse eksportit, të prodhimeve tona, pra të arrijmë të eksportojmë, prodhimet e fermerëve shqiptarë. Jo vetëm pra të ndihmojmë fermerin shqiptar për të konkurruar denjësisht në tregun e brendshëm, por, po kështu, do të ndihmojmë që prodhimet tona të eksportohen”, thotë Basha.
50 milionë euro të tjera, do të jenë pjesë e paketës mbështetëse të fermerëve.
“Do të bëjmë të mundur që infrastruktura që i mbështet ata, nga rrugët tek vaditja, që më thanë që e kanë problem, tek kullimi, aty ku është problem, tek infrastruktura e tregjeve, sepse edhe ata që e kanë prodhimin nuk e çojnë dot në treg, tek agro-përpunimi. Të gjitha këto aspekte të kenë një mbështetje shtetërore. Kjo është mëse normale dhe këtë normalitet ua premtoj sot nga Devolli të gjithë fermerëve të Devollit e mbarë Shqipërisë”.
Ky prioritet sipas kryedemokratit realizohet pasi të gjithë të bëhen bashkë.
“Një shtet në krah të punës, në krah të njerëzve punëtorë, një shtet dhe një qeveri në krah të fermerëve dhe të njerëzve punëtorë. Kjo është motoja ime dhe kjo do të jetë realiteti me qeverisjen e ardhshme. Nuk premtoj asnjë mrekulli dhe nuk ka nevojë për mrekulli, nuk ka nevojë për lëmoshë, ka nevojë vetëm për një qeveri, për një kryeministër që mendon me këta, ndjen me këta, ndjen dhimbjen e tyre dhe bën gjithçka për t’i ndihmuar dhe nuk ka nevojë të bëjë mrekullira”, tha Basha.