Sport Messi, Lautaro, Neymar, fati i Setien, VAR; Bartomeu ka përgjigje për gjithçka

Messi, Lautaro, Neymar, fati i Setien, VAR; Bartomeu ka përgjigje për gjithçka

Josep Maria Bartomeu ka analizuar situatën te Barcelona, duke prekur shumë nga temat e nxehta: auditimi, VAR, kontrata e Messit, opsionet e skuadrës për të fituar La Liga-n dhe Champions-in. Presidenti i katalanasve e ka bërë të qartë për RAC 1, ndër të tjera, se kapiteni Messi do të “pensionohet” në “Camp Nou”, që Setién do të vazhdojë trajner, që La Liga nuk është e humbur. Po ashtu, ai nuk e përjashton mundësinë që ndeshja e kthimit kundër Napolit të luhet në Barcelonë .

Dorëheqja

“Unë nuk e kam konsideruar dorëheqjen. Përkundrazi, është koha që të përveshim mëngët dhe të punojmë shumë”.

Emili Rousaud

“Askush nuk e ka vënë dorën në zjarr. Më lejoni të jem i qartë. Unë nuk i dija rezultatet e auditimit dhe, prandaj, filluam të paraqisnim ankesa, si kundër Rousaud”.

Ndryshimet e bordit

“Ne konsideruam se ishte e nevojshme për ta ristrukturuar atë. Duheshin marrë vendime të guximshme. Mendova se ishte e nevojshme të rrethohesha nga një ekip, me të cilin mund të punoja më me qetësi”.

Titulli i La Liga-s

“Matematikisht nuk e kemi humbur, por diferenca në pikë është e rëndësishme”.

VAR

“Unë jam në favor të VAR-it. Unë kam thënë që aplikimi i VAR-it aktualisht nuk është i drejtë. Ka vendime që favorizojnë disa dhe dëmtojnë të tjerët. Kjo po ndodh në të gjithë botën e futbollit. Nuk është një kritikë, thjesht dua ta përmirësoj VAR-in. Unë jam ende në favor të tij, jam një avokat i fortë i VAR-it. Teknologjia mund të na ndihmojë.

Reali Madrid, kampion

“Nëse e fiton titullin, do të flasim…”

Katër pikë

“Pavarësisht nga rezultatet, le të flasim për teknologjinë. Ekipi është dëmtuar në të tria barazimet, pas rifillimit të kampionatit”.

Valverde

“Nuk më vjen keq për largimin e Valverde, ne kishim nevojë për një nxitje të re. Setién ka sjellë ajër tjetër në ekip”.

Setien

“Do të vazhdojë, padyshim. Unë jam i lumtur me evolucionin e ekipit. Në dy ndeshjet e fundit kemi parë tashmë një evolucion të qartë. Së pari, ne përpiqemi të fitojmë La Liga-n, më pas Ligën e Kampionëve. Kthimin me Napolin kemi kërkuar që ta luajmë në “Camp Nou”. UEFA është duke pritur evolucionin e situatës”.

Messi

“Ai ka një kontratë deri në vitin 2021. Ne nuk i shpjegojmë këto gjëra, por kemi obligimin të rinovojmë. Të shtunën kam folur me të, ishte hera e fundit. Flas rregullisht me lojtarët për të parë se si janë, ne kemi shumë çështje në tryezë. Gjithashtu, i inkurajoj të mos dorëzohen, të vijojnë garën deri në fund. Unë e shoh Messin të qetë, ai dëshiron të tërhiqet nga futbolli te Barça. Vetë e ka thënë këtë”.

Lautaro

“Ne do të flasim për merkaton kur sezoni të përfundojë. Barça nuk ka data me të kuqe në kalendar. Tani jemi ende duke luajtur për kampionat, pastaj Champions-i…”

Transferimet

“Do të ketë shkëmbime lojtarësh, jo nënshkrime me kosto të larta, në përgjithësi”.

Neymar

“Nuk ka të ngjarë të lëvizë, për shkak të situatës ekonomike të të gjitha klubeve në Europë.”

Arthur-Pjanic

“Është një vendim sportiv, së pari, më pas edhe zgjedhje ekonomike. Ky shkëmbim nuk ishte për të balancuar ekuilibrat financiarë. Ka lojtarë të tjerë me oferta. Çmimi përcaktohet nga oferta dhe kërkesa”.

Xavi

“Lojtar dhe trajner i shkëlqyeshëm, një ditë ai do të jetë në krye të Barcelonës. Tani kemi Setién, Xavi dëshiron të vijë. Një ditë ai do të vihet në krye të Barcelonës dhe do të bëjë shumë mirë”.