Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI), Christopher Wray, tha se aktet e spiunazhit dhe vjedhjes nga qeveria kineze përbëjnë “kërcënimin më të madh afatgjatë” për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara.
Sipas shefit të FBI-së, Partia Komuniste Kineze po organizon një “fushatë të ndikimit të huaj” për të siguruar që Kina të bëhet “superfuqia e vetme në botë”.
“Kina është e angazhuar në një përpjekje të plotë të shtetit për t’u bërë superfuqia e vetme në botë me çdo mjet të nevojshëm”, tha Christopher Wray.
Duke folur për Institutin Hudson në Uashington, në një fjalim të gjatë prej një ore, drejtori i FBI-së prezantoi një kornizë të ndërhyrjeve kineze në fushata spiunazhi ekonomike, grabitjet monetare, informacione dhe aktivitete politike të paligjshme duke përdorur ryshfetet dhe shantazhet për të ndikuar politikën amerikane.
“Kemi arritur në një pikë ku FBI-ja hap një rast kundërzbulimi lidhur me Kinën çdo 10 orë. Janë gjithsej 5 000 raste aktive kundërzbulumi në të gjithë vendin dhe pothuajse gjysma e tyre janë të lidhura me Kinën”, ka treguar Wray.
Drejtori i FBI-së shtoi se Presidenti Xi Jingping ka nisur një program të ri, të quajtur “Gjuetia e Dhelprës”, për të mbledhur të gjithë qytetarët kinezë që jetojnë jashtë vendit dhe që konsiderohen si kërcënim për sistemin.
“Po flasim për rivalë politikë, disidentë dhe kritikë që kërkojnë të publikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut që bën Kina. Qeveria kineze kërkon që t’i kthejë me forcë në Kinë dhe taktikat për ta arritur këtë janë shokuese. Kur nuk arrijnë të gjejnë vendndodhjen e shënjestrës qeveria kineze dërgon një përfaqësues në familjen e tij në SHBA. Dhe mesazhi që kalon? Shënjestra ka dy opsione: Rikthehu në Kinë me njëherë ose kryej vetëvrasje”, ka treguar ai.