Aktualitet Dy viktima dhe 90 raste të reja 24 orët e fundit

Dy viktima dhe 90 raste të reja 24 orët e fundit

Dy pacientë të tjerë kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të premte se bëhet fjalë për dy qytetarë që ishin shtruar në Spitalin Infektiv prej disa ditësh, por gjendja shëndetësore e tyre ishte rënduar shumë ditët e fundit.

“Një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani, të shtruar prej disa ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rënduar, nuk kanë mundur të mbijetojnë, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor”.

Numri i viktimave për shkak të koronavirusit në Shqipëri ka shkuar në 85.

Në Spitalin Infektiv situata vijon të jetë serioze. Atje janë shtruar 81 pacientë. 11 prej tyre janë në terapi intensive, ku 5 janë futur në frymëmarrje të drejtuar.

Numër i lartë të infektuarish këtë të premte. Pas 401 testimeve për të dyshuar të prekur me Covid-19, janë zbuluar 90 raste të reja.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 36 raste në Tiranë, 15 në Durrës, 11 në Vlorë, nga 8 raste në Kukës, Krujë, 4 në Kurbin, 3 në Elbasan, 2 në Lushnje, nga 1 rast në Lezhë, Kamëz, Dibër”.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1875 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1318 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.