Qeveria “Hoti” vendosi për një sërë masash për t’i vënë fre valës së infektimeve, ku veçon ajo për mbajtjen e detyrueshme të maskave.
“Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët”, thuhet në vendim.
Ndër të tjera, u morr vendimi për teste të detyrueshme për shtetas të rajonit që hyjnë në Kosovë, veç Shqipërisë.
“Gjithmonë në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, Qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës”.