Pak ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi se ofron 10 mijë Euro shpërblim për këdo që jep informacione që mund të çojë në arrestimin e Talo Çelës.
49-vjeçari është momentalisht personi më i kërkuar në Shqipëri, i dyshuar për përfshirje në grabitjen e parave të Rinasit në vitin 2019, për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Prill 2020, si dhe për disa ngjarje të tjera kriminale.
Por edhe pse në arrati, Talo Çela ka dhënë një intervistë për gazetarin Spartak Koka në emisionin “Uniko” në Klan Plus.
Talo Çela rrëfen përse nuk po dorëzohet. Ai mohon çdo akuzë, madje kërkon që të zbardhet e vërteta.
49-vjeçari tregon edhe epitetin që i kanë vendosur, “shofer-pilot”. Ai thotë se nuk mund të marrë pjesë në grabitje dhe vrasje pasi e ka të pamundur të vrapojë për shkak të problemeve që ka në këmbë.
Spartak Koka: Përse nuk u dorëzuat në grabitjen e 2019 së Rinasit, kur herën e parë ju keni shkuar?
Talo Çela: Nuk do shkoja jo, por isha në shtëpi. Më kapën aty te dera e shtëpisë. As kisha ndërmend me shku. Se këta ta fusin kot. Po duan të më fusin edhe vëllezërit Haxhia, imagjino këto me hamendje. Këto me hamendje i kam kështu të futme. Se duan këta.
Spartak Koka: Kush do?
Talo Çela: Nuk e di. Këtu nuk po kuptoj. Këta duan të këmbëngulin që si e si të më fusin mua këta dy vëllezërit, që këtu unë dua të zbardhet patjetër dhe ai çuni Alla duhet të tregojë të vërtetën.
Spartak Koka: Emri juaj po del pra.
Talo Çela: Po qysh po del. Unë kam qenë në familjen e atij. Unë kam qenë në shtëpi të atij.
Spartak Koka: Kaq i pafajshëm jeni për gjithë këto krime? Se tani janë gjithë këto ngjarje z.Çela.
Talo Çela: Unë jam i pafajshëm. Këto janë llafe. Mua më kanë vënë një tingull “shofer-pilot”. Çfarë është shofer-pilot. Shofer-pilot ku janë vrarë ata vëllezërit. I kam gjunjët copë, kam bërë aksident. Nuk eci dot, eci me hapa. Unë i kam gjunjët e copëtuar të dy. Unë tani kur eci, eci me hapa. Nuk vrapoj dot. Kam rezonancë për gjurin, e ka avokati im. E kam tendinën copën. Nuk eci dot, i kam të dy gjunjët copë. Njërin e kam më keq.
Spartak Koka: Përse nuk i dorëzoheni drejtësisë?
Talo Çela: Unë ta dija që do shkonte kaq, më mirë isha dorëzuar. Kështu si ka vajtur tani, po më akuzojnë edhe për person që unë kam qenë në familje të atij në momentin e ngjarjes. Si mund të më akuzosh ti mua kur unë kam qenë me familjen e atij.
Spartak Koka: Ku po jeton sot Talo Çela? Si po arrin të mbijetosh?
Talo Çela: Ç’a po jetoj. Bukë po ha. Bukë si qeni.
Spartak Koka: A keni frikë se do ju kapin?
Talo Çela: Le të më kapin. Një ditë do më kapin mua ata. Po dua të dali e vërteta, mos kapem kot. Familja Haxhia duhet të flasë të thotë të vërtetën që unë kam qenë momentin e ngjarjes te ata sepse kur më akuzojnë që unë kam qenë në familje të tyre, kjo është skandal.