Janë 230 raste të reja me Covid në 24 orët e fundit në Itali, një rritje infeksionesh në krahasim me 162 rastet që ishin të mërkurën. Ndërkohë, viktimat janë 20, edhe këto në rritje në krahasim me 13 vdekjet e së mërkurës.
Rastet totale kapin shifrën 243.736, ndërsa viktimat mbi 35 mijë (35.017 saktësisht). Të dhënat janë publikuar nga Mbrojtja Civile italiane.
Italia ndalon hyrjen e qytetarëve nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova
Italia ka futur dje Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën në listën e vendeve në rrezik.
“Ata që kanë qenë në 14 ditët e fundit në këto territore kanë një ndalim të hyrjes dhe tranzitit në Itali. Në botë, kjo pandemi është në fazën më të vështirë. Ne kemi nevojë për kujdes maksimal për të mbrojtur përparimin që kemi bërë deri tani”, deklaroi ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza në një shënim në Facebook
Urdhri i nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza parashikon bllokimin e fluturimeve ajrore, trenave dhe të gjitha mjeteve të tjera të transportit për lidhjen me/dhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
Të tre vendet u shtuan në listën e vendeve me rrezik për pandeminë nga Covid-19. Aktualisht, ndalesa ka të bëjë me 16 shtete, Armeninë, Bahreinin, Bangladeshin, Brazilin, Bosnje-Hercegovinën, Kilin, Kuvajtin, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Omanin, Panamanë, Perunë, Republikën Dominikane, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën.