Në 24 orët e fundit në vendit tonë betejën me Covid 19 e kanë humbur 3 qytetarë, të moshës 52, 57 dhe 59 vjeç.
Në përditësimin e situatës së pandemisë në vend, Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga 431 teste, 55 persona kanë rezultuar të infektuar.
Por numri i shtrimeve në spital është rritur, ku në dy spitalet Covid po marrin trajtim 106 pacientë, 9 prej tyre në terapi intensive dhe 1 i intubuar.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz.
Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me Covid19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë, ku vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur nga Covid19 në Tiranë, ndërsa ka dhe raste të reja në bashkitë e tjera të vendit.
Që në fillim të këtij komunikimi, ju rikujtojmë detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura për çdo qytetar, me qëllim frenimin e përhapjes së Covid19”.