Një zjarr masiv ra dhe përfshiu katedralen e qytetit të Nantes, në perëndim të Francës, duke shkatërruar një pjesë të strukturës së shekullit të pesëmbëdhjetë.
Zjarrfikës të shumtë mbërritën në vendin e ngjarjes duke vendosur zjarrin nën kontroll pas disa orësh. Megjithatë, tymi i zi vijoi të dilte nga godina gotike e kultit edhe më pas.
Flakët vijnë thuajse një vit pasi një zjarr i ngjashëm përfshiu katedralen Notre Dame në Paris, duke shkatërruar çatinë dhe shtizën e saj.
Zjarrfikësit deklaruan se zjarri ra në ambjentet e brendshme të objektit, prapa altarit të madh, duke e shkatërruar tërësisht atë.
Ndërkohë, një prokuror i Nantes tha për gazetarët se autoritetet po e trajtojnë ngjarjen si një “akt kriminal”, por nuk dha detaje të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që katedralja dëmtohet. Ajo u dëmtua një herë gjatë bombardimit të aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa në vitin 1972 një zjarr shkatërroi tërësisht çatinë e saj. Objekti u rindërtua 13 vjet më vonë me një strukturë çimentoje, duke zëvendësuar çatinë antike prej druri.